“Qytetarët e Kosovës sot e përjetojnë festën e pavarësisë së SHBA-ve si festë të tyre”
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sot ka uruar popullin amerikan për 245-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Sipas saj, kjo ditë e kujton rolin e këtij kombi të madh për jetësimin e synimit të Kosovës për të jetuar të lirë e të mosvarur.
Presidentja ka shkuar se qytetarët e Kosovës sot e përjetojnë festën e pavarësisë së SHBA-ve si festë të tyre.
“Historia ka dëshmuar se në momentet më të vështira për kombin tonë, Amerika zgjodhi të ishte mbrojtësja dhe promovuesja më e madhe e së drejtës sonë, duke u rreshtuar përkrah nesh në përpjekjet tona për liri.Prandaj, ne shqiptarët, populli mik i kombit amerikan, sot ndihemi të bekuar me miqësinë me të. Kjo miqësi mbështetet sa në përkushtimin tonë ndaj lirisë, po aq edhe në vlerat e përbashkëta të cilat ne i ndajmë me kombin amerikan.”, ka shkruar ndër të tjera Osmani në facebook.
Ndryshe, 4 korriku shënon 245-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dita e Pavarësisë në SHBA festohet me parada madhështore, festime familjare dhe mbyllet me hedhjen e fishekzjarreve./21Media