Qytetarët e Maqedonisë së Veriut nuk do të mund të udhëtojnë në Serbi, Mal të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinë pa test PCR negativ jo më të vjetës se 48 orë, raporton TV21.

Ndërkaq, për në shtetin e Kosovës nuk është i nevojshëm testi PCR.

“Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut i informon qytetarët se në përputhje me përkeqësimin e situatës me pandeminë Covid-19 në rajon dhe numrin e madh të rasteve të reja pozitive, hyrja e shtetasve të Republikës së Maqedonisë së Veriut  në Serbi, Mal të Zi dhe Bosnjë dhe Hercegovinë nuk do të lejohet pa test negativ PCR i cili nuk është më i vjetër se 48 orë nga momenti i hyrjes në këto vende.

Mbetet mundësia që qytetarët e Maqedonisë së Veriut të hyjnë në Kosovë pa test PCR, por Qeveria u bën apel qytetarëve që të mos udhëtojnë jashtë vendit nëse nuk e kanë të patjetërsueshme.

Qeveria dhe autoritetet shëndetësore, në përputhje me situatën e re epidemiologjike në rajon, në ditët në vijim do të rishikojnë vendimin për hyrjen e shtetasve të Kosovës, Serbisë, Malit të Zi dhe Bosnjë dhe Hercegovinës në Maqedoninë e Veriut, pa PCR test”, thuhet në kumtesën e Qeverisë, raporton TV21./21Media