Qytetarët e Mitrovicës, por edhe përfaqësues të bizneseve të vogla në këtë qytet, kanë mirëpritur fillimin e fazës së dytë të zbutjes së masave.

Ata thanë se këto masa do të shërbejnë për të mirën e qytetarëve, bizneseve, por edhe ekonomisë së vendit në përgjithësi.

Sabit Sinani, qytetar i Mitrovicës, tha se mirëpret zbutjen e këtyre masave, ngase qytetarët fillojnë të lëvizin, punojnë, por edhe ekonomia fillon të rimëkëmbet.

Enveri, një qytetar tjetër, bëri të ditur po ashtu se zbutja e masave është në të mirë të ekonomisë.

Ai ka tërhequr vërejtjen për nevojën e kujdesit nga ana e qytetarëve, në mënyrë që të mos përsëritet çështja e pandemisë.

Ndërkaq, Xhafer Fetahu, pronar i një restoranti në Mitrovicë, biznesi i të cilit ka filluar të punojë sot në variantin “merre me vete”, ka bërë të ditur për KosovaPress se zbutja e masave kundër pandemisë është jashtëzakonisht e mirëseardhur.

Ai masat e deritashme strikte i ka quajtur të arsyeshme dhe të efektshme, dhe kjo, siç u shpreh ai, dëshmohet me numrin e vogël të të infektuarve.

Edhe Shenoll Hasani, floktar, tha se fillimi i zbutjes së masave është në të mirën e qytetarëve, bizneseve dhe ekonomisë në përgjithësi.

Në anën tjetër, Izedin Krasniqi, ekonomist, zbutjen e masave e konsideron si pozitive për mbarë shoqërinë, ndonëse paralajmëroi rënie ekonomike dhe pasoja të rënda për vendin.

Ndryshe, vlen të theksohet se qytetarët në qytetin e Mitrovicës në numër të konsiderueshëm janë vërejtur pa maska, doreza dhe pa distancë fizike, duke mos respektuar kështu rekomandimet IKSHPK-së./KP