Ragmi Mustafa emërohet Këshilltar i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi

Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës, Ragmi Mustafa, është emëruar Këshilltari  zëvendës kryeministrit të parë, Besnik Bislimi.

“Me mirënjohje, dua të njoftoj se sot kam pranuar pozitën e Këshilltarit Politik të Zëvendëskryeministrit të parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog në Qeverinë e Republikës së Kosovës – Besnik Bislimi”, shkroi ai në Facebook.

“Kjo mundësi e jashtëzakonshme për të shërbyer Kosovën dhe Luginën në kuadër të ekipit z. Bislimi edhe njëherë rikonfirmon përkushtimin e Qeverisë së Republikës të Kosovës ndaj shqiptarëve në Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjë”, shtoi ai.

Mustafa merr detyrën në mesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, i kryesuar nga ana e Kosovës nga Bislimi, i cili shpesh herë ka paraqitur ankesat e banorëve shqiptarë në Luginë në tavolinën e dialogut.

Mustafa bëhet politikani i dytë nga Presheva që emërohet në pozitën e këshilltarit në Qeverinë e Kosovës, pasi e para që ka marrë këtë funksion është ish-kryetarja e Preshevës Ardita Sinani, e cila për detyrë ka të këshillojë kryeministrin Albin Kurti.

Në një postim të sotëm në Facebook, Mustafa falënderoi Kurtin për vendimin për trajtimin falas të teksteve mësimore për herë të tretë, duke thënë se ky është një hap i madh drejt arsimimit të qëndrueshëm.

“Krenohemi për angazhimin dhe ndihmën e Qeverisë së Republikës së Kosovës në Luginë!”, shkroi ai. /21Media

Back to top button