Në Komunën e Rahovecit janë identifikuar 24 raste me Covid-19, ku dy prej tyre janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive, 22 janë raste aktive dhe dy janë të shëruar.

Drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Rahovecit, Samir Mustafa tha për p , se gjendja e të prekurve me koronavirus në këtë komunë është stabile dhe nën kontroll.

“Numri i të prekurve me koronavirus në komunën e Rahovecit është 24, 2 të shëruar dhe 22 raste aktive…. Dy janë në klinikën Infektive dhe gjendja e tyre është stabile, sipas raportit që kemi nga ekipet mjekësore, të tjerët janë në shtëpitë e tyre vetë izolim”, u shpreh Mustafa.

Ndër të tjera, ai tregoi se që nga përhapja e Covid-19 në këtë komunë kanë formuar shtabin emergjentë, i cili ka ndihmuar në menaxhimin e situatës.

“Kryetari ka formuar shtabin emergjentë, ku jemi aktivë 24 orë. Në fillim kemi bërë dezinfektimin e hapësirave dhe objekteve shëndetësore të cilat dezinfektohen çdo vikend në Rahovec, ndërsa Qendra kryesore e mjekësisë familjare dhe reparti i kujdestarisë dy herë në javë, ngase kemi numër më të madh të qytetarëve, që marrin shërbime mjekësore”, deklaroi Mustafa.

Ai tha se për një periudhë afatmesme janë të pajisur me të gjitha mjetet e nevojshme për trajtim dhe mbrojtje nga Covid-19.

“Në fillim kemi pas vështirësi, si çdo komunë tjetër, mirëpo gradualisht furnizimi ka shkuar duke u përmirësuar për momentin jemi stabil nuk kemi mungesë të maskave dhe materialeve mbrojtëse të personelit shëndetësorë”, tha ai.

Mustafa shtoi se Covid-19 në Komunën e Rahovecit është përhapur nga dy infermiere, të cilat janë infektuar në vendin e tyre të punës.