Mikrobiologu Lul Raka ka reaguar pas rritjes së numrit të rasteve të reja javën e fundit. Raka në një shkrim në Facebook u shpreh se kjo është shqetësuese dhe se Covid-19 nuk është rrenë.

“COVID-19 NUK është rrenë! Mund të prek TY ose më të dashurit Tuaj! Trendi i rritjes së numrit të rasteve në javën e fundit është shqetësues. Shtylla kryesore e përgjigjes ndaj pandemisë është kapaciteti shëndetësor i Kosovës, i cili po ngarkohet dita ditës! Kësaj rritje i kemi kontribuar të gjithë: qytetarët, të cilët nuk i përfillin fare masat parandaluese. Por, edhe politikanë, të cilët vazhdojnë ta përdorin COVID-19 si monetë për kusuritje të ndërsjelltë.”, shkroi ai mes tjerash.

Mikrobiologu Raka ka kërkuar nga qytetarët t’i zbatojnë rregullat, si dhe nga politikanët të bashkohen dhe ta luftojnë këtë pandemi bashkarisht.

“Qytetarë të dashur, Ju lutem t’i zbatoni këshillat sot, sepse nesër mund të jetë vonë:

1. Mbani distancën fizike kudo dhe gjatë tërë kohës. Kjo është komponenta kryesore në parandalim!

2. Në vendet ku nuk mund të mbahet distancë, vendosni maska!
3. Mbani higjienën e duarve!

Politikanë të nderuar: Ju lutemi kthjelluni, bashkohuni dhe tregoni lidership në këto kohë të vështira. Parandalimi i sëmundjes është arma e vetme në duart tona! Vetëm së bashku e përballojmë këtë sfidë!”, shkroi më tej ai.

Sonte u konfirmuan edhe 96 raste të reja me koronavirus në Kosovë, duke e çuar në 2 mijë e 169 numrin e përgjithshëm të të infektuarve./21Media