Kandidati i Listës Serbe, Milan Radojeviq ka shfrytëzuar të drejtën e votës në veri të Mitrovicës, i shoqëruar nga udhëheqësit e kësaj partie.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Goran Rakiq dhe deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq përmes një prononcimi për media, kanë thyer heshtjen zgjedhore, duke kërkuar nga qytetarët e Mitrovicës së Veriut që të dalin në mënyrë sa më masive në zgjedhje e ta votojnë kandidatin e Listës Serbe, Milan Radojeviq.

Rakiq gjatë prononcimit ka përmendur se Lista Serbe ka përkrahjen e shtetit të Serbisë dhe të presidentit Aleksandar Vuçiq, ndërsa i ka bërë thirrje qytetarëve të dalin në mënyrë sa më masive për të votuar Radojeviqin, por ka kërkuar të respektohen masat antiCovid.

Heshtja zgjedhore hyn në fuqi një ditë para zgjedhjeve (e shtunë), gjegjësisht, në mesnatë mes të premtes dhe të shtunës, kur mbaron fushata zgjedhore. Heshtja vazhdon deri në ora 19, në ditën e votimeve ( e diel). Kjo nënkupton se propaganda, agjitimi partiak, ryshfeti i votuesve, fushata dhe shkelje tjera të Kodit Zgjedhor janë rreptësishtë të ndaluara. Heshtja para Referendimit vazhdon 24 orë më gjatë.

Sipas Kodit Zgjedhor, si shkelje e heshtjes zgjedhore vlerësohet emetimi i informatave të çdo lloji, fotografive, materialeve audio dhe audio-vizuale lidhur me, ose të cilat kanë marrë pjesë në zgjedhjet, çdo formë të raportimit mediatik të cilat janë në funksion të hapur ose të fshehtë të ndonjë fushate zgjedhore dhe mund të ndikojnë mbi vendimet e votuesve, të dhëna me të cilat e zbulojnë identitetin e subjekteve politike dhe/ose të individëve të përfshirë në incidente ose parregullsi tjera në ditën e votimeve, si dhe paraqitje nga kandidatë në procesin zgjedhor, nga përfaqësues të partive politike dhe nga bartës të funksioneve në organet e pushtetit.

Në veri të Mitrovicës të drejt vote kanë 23 mijë e 313 qytetarë, në 7 Qendra Votimi me 27 Vendvotime.

Komuna e Mitrovicës Veriore ka mbetur pa kryetar nga muaji qershor, pasi Goran Rakiq nga Lista Serbe është emëruar zëvendës kryeministër dhe ministër i Administratës dhe Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, ndërsa Milan Radojeviq i Listës Serbe, Florent Azemi i PDK-së, Erden Atiq i Vetëvendosjes dhe Dushan Millunoviq kandidat i pavarur, janë në garë për mandatin e kryetarit./21Media