Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është shprehur se arritjet e marrëveshjeve të sotme me Kosovën janë edhe në kuadër të marrëveshjeve që do të bëjnë shtetet rajonale veç-e veç për nismën e mini-shengenit. Ai tha se aty asnjë shtet nuk do të kushtëzohet dhe se do të bëjë zgjidhjet e veta.

Rama pas mbledhjes së dy qeverive në një konferencë për media foli edhe për mundësinë e kompromiseve të Kosovës në kuadër të marrëveshjes me Serbinë, si dhe “fletë-rrufen” siç e quan të Gjykatës Speciale ndaj presidentit Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli.

“Ajo e madhja është dakordësia që gjitha shtetet e rajonit tonë të mund të bëjnë çdo marrëveshje të nevojshme mes tyre për të garantuar të katër liritë e BE-së…ne do të bëjmë marrëveshje me të gjithë sipas kushteve dhe mundësisë për shpejtësi, kështu që ky është thelbi, nuk futemi ne në një kazan atje ku duhet të zihemi të njëjtën kohë dhe të njëjtën mënyrë, secili bën zgjedhjet e veta. Ama askush nuk e kushtëzon tjetrin”, tha ai.

Rama tha se asnjë marrëveshje me Serbinë nuk mund të bëhet fshehurazi.

“Nuk ka marrëveshje të një qeverie me një tjetër të asnjë lloj niveli, e jo më të bësh marrëveshje për kufirin që të bëhet fshehurazi. Nuk ekziston, nuk bëhet dot “, tha ai.

Ndërkaq shtoi se gëzimi i disave për “feltërrufen” e Speciales është turp i madh.

“Ka dalë një fletërrufe e qiell të pastër ditën kur presidentin i Kosovës ishte nisur për Uashington. Unë me atë fletërrufe jam marrë, një fletërrufe kineze si fletë-rrufesë që na dilmin këtu në kohën e vllazërisë shqiptaro-kineze që godisnin njeriun në mënyrë preventive….kur të bëjë akuzën gjykata zyrtarisht nuk jam unë askushi që të flas se nuk jam avokat dhe nuk jam i zoti të bëjë avokatin në Gjykatë. Kjo është kaq e thjeshtë sa nuk ka. Por gëzimi i disave për këto fletërrufe është turp i madh”, tha ai