Rama: Bashkëpunimi me Kosovën ka marrë një ritëm të ri

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pas mbledhjes së përbashkët me Qeverinë e Kosovës, tha se me nënshkrimin e marrëveshjeve të reja, bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri ka marrë një ritëm të ri.
Në një konferencë për medie, Rama tregoi në detaje marrëveshjet e arritura.
“Kemi firmosur një sërë marrëveshjesh konkrete ku pa dashur të marrë kohë më tepër do të nënvizoj marrëveshjen për studimin e fizibilitetit të hekurudhës Durrës-Prishtinë. Të dy qeveritë kanë përafruar në buxhetin e vitit 2022 një fond dhe dy ministritë kanë dakorduar ekipin e përbashkët të punës në ndërkohë. Po ashtu dua të nënvizoj marrëveshjen që qon në një nivel të ri bashkëpunimin doganor. Një kërkesë legjitime e kahershme e kohës, eksportuese dhe importuese po ashtu edhe ekonomitë tona do të kenë përfitimin e tyre. Më tutje nënvizoj se eliminimi i gjitha procedurave të dyfishta është objektivi ynë në gjithë sektorët dhe në rastin konkret krijimi i një manuali të ri në Durrës është ngritja në një nivel tjetër i lëvizjes së lirë në raport me procedurat doganore. E treta që është lajm i mirë për dy anët është se është dakorduar krijimi i një lehtësimi të ri doganor në kufi që mos të krijohen radhë të gjata për kontrolle të dyfshita”, tha ai.
Rama tha se një pjesë e marrëveshjeve të arritura më herët kanë gjetur zbatim, por për disa të tjera po ka pengesa burokratike.
“Dua ta falënderojë të gjithë skuadrën e Kosovës, Albin personalisht për ritmin e ri që ka marrë ky proces. Një pjesë e marrëveshjeve janë zbatuar, disa janë në zbatim, por problematika nga niveli i lartë në nivel administrate është burokratik”, tha Rama.
Krahas kësaj, kryeministri shqiptar tha se duhet të ngritët një rrjet i përbashkët konsullorë.
“Kemi shtrirë sa më shumë rrjetin e shërbimeve konsullore të përbashkëta. Duke u bazuar më disa shembuj pozitiv, duam të krijojmë sa më shumë hapësira të përbashkëta për shërbime konsullore për t’iu dhënë qytetarëve një adresë dhe për të larguar shpenzimet”, tha ai.
Krijimin e sekretariatit koordinues për zbatimin e marrëveshjeve, Rama e konsideroi si një hap që do të sjellë përshpejtimin e të gjithë hapave të tjerë.
“Mos mendoni që sekretariati është një mekanizëm që e shpikëm sot. Ka qenë kërkesë e punës kaherë që nuk është bërë asnjëherë. Por sot kemi sekretariatin, sot e formalizuam, por koordinatorin e kemi në punë qysh kur ishim në Prishtine”, theksoi ai.
Kjo është mbledhja e shtatë e dy qeverive.

Back to top button