Rama: Nga e hëna do të ndëshkoheni me Kodin e ri Penal

Rama: Nga e hëna do të ndëshkoheni me Kodin e ri Penal

Ndryshimet në Kodin Penal kanë sjellë ndryshime edhe në vendimet e qeverisë për të përfituar mbështetjen e qytetarëve në një kohë kufizimesh. Pak orë para se shqiptarët të mbylleshin në shtëpi për rreth 60 orë, kryeministri Edi Rama në një komunikim në facebook njoftoi se do të anulohen të gjitha gjobat e vendosura në periudhen e pandemisë pasi do të operohet me ashpërsimet e reja penale.

Janë ekzekutuar deri tani 7107 gjoba për këmbësorë dhe 1941 për drejtues automjeti që janë shoqëruar me pezullim të lejes së drejtimit për 3 vjet dhe bllokim të automjetit. Ne sot kemi vendosur mosekzekutimin e të gjithë këtyre gjobave dhe kthimin te të gjobiturit të të gjitha patentave dhe të të gjitha automjeteve të bllokuara.  Me hyrjen në fuqi të kodit të ri penal për situatën e epidemisë të gjithë qytetarët le të startojnë të barabartë në fazën e dytë të kësaj lufte ku hapja graduale do të shoqërohet patjetër edhe me mundësinë e ndëshkimeve shembullore për të cilat nuk do të ketë më asnjë kthim pas.Le të themi çfarë iku iku dhe në fund të fundit edhe ata të cilët gabuan le të marrin të drejtën e të qënit të padyshuar si të pabindur apo të papërgjegjshëm dhe le të kthehen në të njëjtin start”, tha kryeministri.

Tutje kryeministri bëri të ditur se nga java e ardhshme ndryshon edhe leja për qarkullimin e automjeteve. Qeveria ja heq kompetencat Policisë së shtetit për t’ja atribuar e-Albania.

“Në platformën e-Albania do të mund të merret njësoj si për këmbësorët një autorizim javor për të gjithë ata që janë në punët e lejuara dhe automjeti do të mund të lëvizë për vajtje-ardhje në punë me vetëm një njeri tjetër brenda në sediljen e pasme diagonal i cili mund të jetë vetëm një koleg në të njëjtin vend pune. Kush merr lejen do ta lexojë mirë pasojën penale që vjen nga shkelja e mundshme”, theksoi Rama.