Duke filluar nga sot do të hiqet fasha orare e levizjes në zonat që konsiderohen të gjelbra. Ky njoftim u bë i ditur nga vetë kryeministri Edi Rama në bazë të vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë.

Sa i përket zonave të kuqe, Rama njoftoi se fasha orare do të zgjatet deri në orën 21:00. Po ashtu, do të hiqen në të gjithë vendin autorizimet për lëvizjen e këmbësorëve dhe automjeteve.

Nga ana tjetër, do të vazhdojë të jetë e ndalur hyrja-dalja e mjeteve në zonat e kuqe.

“Fieri kthehet në zonë e gjelbër. Hiqet krejtësisht fasha orare e lëvizjes në zonat e gjelbërta. Fasha orare e lëvizjes në zonat e kuqe zgjatet deri në orën 21.00. Hiqen në të gjithë vendin autorizimet për lëvizjen e këmbësorëve apo automjeteve. Vazhdon të jetë e ndaluar hyrje – dalja e automjetevenë zonat e kuqe. Qeveria do të ndryshojë nesër aktin normativ për heqjen e ndalesës së studiove tv për të ftuar jo më shumë se një person. Do të mbetet vetëm kushti që të ftuarit të vendosen në distancë 2m nga njëri – tjetri”, njoftoi Rama.

Ndërkohë, masa 14 ditore për të vetëkarantinuarit nuk do të ndryshojë.

“Miq, me heqjen e të gjitha autorizimeve të lëvizjes, ekspozimi ndaj infeksionit rritet shumë dhe barra e çdo individi për të ruajtur veten e të tjerët gjithashtu! Ju lutem bëni më të mirën tuaj si deri tani dhe kujdes në mënyrën më të veçantë më të moshuarit e të sëmurët në familjet tuaja, të cilët duhet të vetëkufizojnë daljet maksimalisht.”, shtoi më tutje Rama./vizionplus