Rama: Institucionet publike dhe private t’i lirojnë punëtorët më herët nga puna shkaku i motit

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka kërkuar nga institucionet publike dhe private që t’i lirojnë punëtorët më herët nga puna të hënën për të shmangur trafikun e rënduar në orët e pasdites, pasi parashihen reshje shiu me intensitet të lartë sikurse të dielën.

Ai gjithashtu ka kërkuar nga qytetarët që të shmangin përdorimin e automjeteve gjatë pasdites.

Rama nga terreni ku ka dalë për ta vlerësuar situatën, ka njoftuar se është krijuar shtabi i krizës për menaxhim të situatës gjatë ditëve në vijim.

“Pas konsultimeve me institucionet përkatëse, krijuam shtabin e krizës për menaxhimin e situatës në ditët në vijim, duke marrë parasysh parashikimet për reshje të ngjashme. Së bashku me zjarrfikësit, ekipet tona të emergjencës kanë ndërhyrë në 100 raste të lajmëruara nga qytetarët. Lutim qytetarët që të shmangin përdorimin e automjeteve gjatë pasdites dhe sugjerojmë që institucionet publike dhe private të lirojnë punëtorët më herët nga puna, për të shmangur trafikun e rënduar në orët e pasdites meqë parashihen shira me intensitet të lartë sikur dje”, ka shkruar Rama në “Facebook”.

Back to top button