Rama ka marrë vendim për ristrukturim të kabinetit qeverisës, shkarkon nënkryetaren Donjeta Sahatçiu

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka bërë të ditur se ka marrë vendim për ristrukturim të kabinetit qeverisës të kryeqytetit.

Përmes një njoftimi në Facebook, i pari i Prishtinës ka njoftuar edhe për shkarkimin e nënkryetares Donjeta Sahatçiu, e cila vjen nga radhët e PDK-së.

Nënkryetare e re e Prishtinës është emëruar zyrtarja e LDK-së Jehona Lushaku-Sadriu.

Rama ka thënë se shkarkimi i Donjeta Sahatçiut lidhet me ngecjet në fushën e digjitalizimit.

“Ky projekt, siç e dini ka qenë një prej premtimeve të bëra, duke dashur që të përmirësoj e modernizoj institucionet e Kryeqytetit. Andaj, për shkak të vonesave të shumta në proces dhe ngecjes së projektit të digjitalizimit, kam marrë vendim që të liroj nga detyra, Donjeta Sahatçiu, nga pozita e Nënkryetares së Kryeqytetit dhe pozita e Ushtrueses së Detyrës së Drejtores së Arsimit”, tha ai.

Në fushën e funksionimit dhe menaxhimit më të mirë të sektorëve të Planifikimit e Urbanizmit, i pari i kryeqytetit ka marrë vendim që të bashkojë këto dy drejtori në një Drejtori të vetme, në krye të së cilës do të jetë arkitekti i njohur, Arbër Sadiki.

Më tutje, Drejtoria e Pronës dhe Drejtoria e Kadastrit do të shkrihen në një Drejtori të Pronës dhe Kadastrit, e cila do të udhëhiqet nga Doruntina Maloku. Ndërsa, Drejtori i deritanishëm i Kadastrit, Donat Lushaku do të emërohet në pozitën e Zëdhënësit të Kryeqytetit.

Procesi i transformimit të kryeqytetit sipas Ramës kërkon punë e përkushtim të jashtëzakonshëm.

Ai thotë se ky është një proces i gjatë në të cilin kërkohet konsistencë, vendosmëri dhe profesionalizëm./21Media

Back to top button