Rama para Komisionit për Punë të Brendshme

Rama para Komisionit për Punë të Brendshme

Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama sot ka raportuar para Komisionit për Punë të Brendshme, i cili ka thënë se bashkëpunimi i mirë ka qenë dhe po vazhdon me KFOR-in dhe NATO-n në fazën e tranzicionit të ushtrisë së Kosovës.

“Një prej prioriteteve tona është ngritja profesionale për misionin dhe detyrat tona që i kemi në të ardhmen. Bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtar është i mirë dhe përkrahja për paisje nuk po mungon”, ka thënë Rama.

Ai ka folur edhe për trajnimet, për strukturën, arritjet e vitit 2018 dhe për përfshirjen nga komunitete tjera, si atyre serb. Mosha mesatare në FSK është nga 35-37 vjeç.

Lidhur me diplomacinë ushtarake, gjeneral Rama ka thënë se aktualisht FSK i ka shtatë atashe ushtarak – ShBA, Bruksel dhe vende të tjera, ndërsa dy të tjerë janë në proces për Francë dhe Itali.

Me rishikim të buxhetit të shtetit do të kërkojnë mjete shtesë për ushtri.

Rama ka thënë se ushtrisë së Kosovës do t’i shtohen edhe 650 kadetë ku kanë aplikuar rreth shtatë mijë të rinj kosovarë dhe do të përzgjidhen në bazë të kritereve të NATO-s.

Numri i aplikuesve së fundi është ngritur për 10 përqind krahasuar me konkurset e viteve të kaluara. Ndërsa, ai ka thënë se FSK për shtatë vjet ka dalë institucioni më i besueshëm.

Deputeti Ismet Beqiri ka thënë se për rekrutimin e kandidatëve për kadetë duhet vendosur kritere profesionale. Ndërsa, Beqiri ka shprehur interesim të marrë informacioni nga gjenerali për pjesëmarrjen e FSK në “Marshall”, në Gjermani. Mirëpo, nuk ka marrë përgjigje nga gjenerali.

Xhelal Sfeçla, anëtar i Komisionit ka thënë se mbështetja me anë të kompetencave për FSK është e kotë nëse nuk ka mbështetje financiare me anë buxhetore.