Rama kërkon mandat të dytë

Ai u ka bërë thirrje të votojnë PS-në për rritje ekonomike dhe punësim

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama kërkoi të enjten një mandat të dytë qeverisës për të rritur ekonominë dhe punësimin në vend.

Ai në një takim elektoral në njësinë bashkiake numër 5 në Tiranë u bëri apel jo vetëm socialistëve, por edhe gjithë demokratëve që në 25 qershor të votojnë Partinë Socialiste. Sipas tij, në 25 qershor vota nuk duhet të ketë ngjyrë partiake, por ajo është votë kuqezi për ta çuar flamurin kombëtar në oborrin e Evropës së bashkuar.

Rama kërkoi një mbështetje edhe më të madhe me votë në 25 qershor, në mënyrë që siç tha ai, “Partia Socialiste ta drejtojë e vetme timonin e reformave”.

“Ne nuk duam më shumë pushtet për vete. Nëse ne do të donim më tepër pushtet për vete, Basha do të ishte akoma në çadër dhe nuk do ishim duke bërë fushatë, por duke pritur 18 qershorin dhe të merrnim 100 deputetë”, tha Rama.

Por sipas tij, Partia Socialiste ka interesin e unitetit kombëtar mbi interesin imediat për të marrë më tepër pushtet për vete dhe këtë e faktoi edhe me arritjen e marrëveshjes me PD-në.

Ai u bëri thirrje demokratëve që të votojnë PS-në, që të shpëtojnë Shqipërinë nga Lulzim Basha.

“Ne ju themi demokratëve se ne e shpëtuam edhe PD-në nga njollosja njëherë e përgjithmonë si parti që u mbyll në çadër nga frika e drejtësisë dhe iku nga zgjedhjet për të mos i hapur rrugë reformës në drejtësi”, tha Rama.

Rama u ndal edhe te reformat kryesore që janë ndërmarrë gjatë mandatit të parë qeverisës si reforma në arsim, në shëndetësi dhe ajo në drejtësi, ndërsa premtoi se rritja e ekonomisë dhe punësimi do të jenë prioritet për mandatin e dytë.

Back to top button