Rama: LDK, UÇK, Rugova e Thaçi faktorë kryesorë që mundësuan ardhjen në këtë ditë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në mbledhjen e dy kuvendeve, të Kosovës dhe atij të Shqipërisë ka thënë se “Kosova nuk do presë sa ka pritur, njohja do të vij”
“Do të doja të sillja në vëmendje një fakt që mua s’më ka rënë rasti ta them, por as s’kam pasur rastin ta dëgjojë të thuhet. Mbase kjo ditë festive nuk duket e duhura… Por sot, pikërisht sot, nuk mund të lihet pa kujtuar se historia jetësore e atyre 40 firmëtarëve të pavarësisë përshkruhet nga funde tragjike. Edhe trajtimi i tyre i mëvonshëm është sa i përcaktuar politikisht, aq edhe i kufizuar sporadikisht. Dy emra do të sjellë në vëmendje këtu, pa të cilët nuk mund të kuptohet sot, as ardhja deri në këtë ditë dhe as vazhdimësia përtej kësaj dite; Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, dhe të dyja këto natyrisht lidhen me Ibrahim Rugovën, një i munguar i madh sot, pasi u nda nga jeta para kohe por me mision të kryer, dhe Hashim Thaçin, një tjetër i munguar sot në këtë sallë, i cili është i ndarë prej nesh përkohësisht, në një mision që vazhdon. Unë besoj se edhe njohja e saj përfundimtare do të vijë më herët sesa vonë dhe se Kosova nuk do të presë kaq sa ka pritur qysh se ka shpallur pavarësinë për t’u njohur përfundimisht, ndërkombëtarisht dhe për të qenë e pranishme në çdo instancë të gjithë organizimit të përgjithshëm të botës ku ne jetojmë.. Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës sot nuk janë vetëm të shkëlqyera, por janë edhe produktive më shumë seç kanë qenë ndonjëherë”, tha Rama.
Nën intonimin e himnit kombëtar shqiptar dhe himnit të Kosovës, sot në Tiranë nisi punimet mbledhja e përbashkët e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, organizuar për nder të 110-vjetorit të Pavarësisë Shqipërisë./21Media

Back to top button