Rama: Kurti më refuzoi duke menduar se unë mund t’i kërkoja takim

(Lajm i përditësuar)


Rama: Kurti më refuzoi duke menduar se unë mund t’i kërkoja takim

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka komentuar deklaratat e djeshme të kryeministrit Albin Kurti, i cili tha se nuk do të takohet me Ramën pa u takuar fillimisht në kuadër të mbledhjes së dy qeverive shqiptare.

Rama tha se nuk i ka kërkuar takim Kurtit dhe se sipas tij, Kurti ka refuzuar takimin paraprakisht, duke menduar se Rama më pas do i kërkonte takim.

“Ka refuzuar të takohet me mua? Por unë s’i kam kërkuar takim. Ka refuzuar paraprakisht duke menduar se unë mund t’i kërkoja takim. Refuzim provokativ quhet ky”, tha Rama gjatë vizitës në Shkup.

Pasdite, Rama do e zhvillojë vizitën e tij në Kosovë, ku do të takohet me presidenten Vjosa Osmani dhe kryekuvendarin Glauk Konjufca.

Sa i përket takimit me Kurtin, në agjendën e takimeve, Rama kishte shkruar “në pritje të konfirmimit”.

 


Shqipëria nënshkruan marrëveshjet me Kosovën, Rama: Pres konfirmim të takimit me Kurtin

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur se i kanë dorëzuar në Ministrisë e Punëve të Jashtme të Kosovës të 13 marrëveshjet e mbledhjes së dy qeverive.

Ky veprim erdhi pas deklaratave të kryeministrit Albin Kurti, se me Ramën do të takohet pas mbledhjes së dy qeverie, për çka, kreu i ekzekutivit të Shqipërisë ka shtuar se tani pret që të ketë konfirmim të takimit.

Ai ka theksuar se me formosjen e marrëveshjeve nga Kosova, ato hyjnë menjëherë në fuqi.

“Pas pak drejt Shkupit për të nisur vizitën dyditore në kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor. Sot të mëngjes janë dorëzuar në ministrinë e jashtme në Kosovë të 13 marrëveshjet e mbledhjes së dy qeverive të firmosura nga ana jonë. Me kundërfirmosjen e palës kosovare ato hyjnë menjëherë në fuqi. Mbetem me shpresë se pas heqjes së merakut të shprehur publikisht nga KM Kurti për qytetarët e penguar të përfitojnë nga 13 marrëveshjet, do të kemi edhe konfirmimin e takimit me Albinin sot pasdite”, tha ai.


Rama takohet me Osmanin e Konjufcën, thotë se është në pritje të konfirmimit për takim me Kurtin

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka publikuar agjenten e takimeve në kuadër të turnit të tij në Ballkan.

Sa i përket vizitës në Kosovë ai ka paralajmëruar takim me presidenten Vjosa Osmani në ora 16:00, në 17:15 me kryeparlamentarin Glauk Konjufca dhe kurse me kryeministrin, Albin Kurti ka thënë se është në pritje të konfirmimit.


Rama vjen në Kosovë, takohet me Osmanin

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama do të vijë sot pasdite në Kosovë, me rastin e nisjes së turit të tij ballkanik në kuadër të përgatitjeve për Procesin e Berlinit.

Në Prishtinë, ai pritet të takohet me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeparlamentarin, Glauk Konjufca.

E pas kushtëzimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që takimi mes tyre të ndodhë vetëm në një mbledhje të përbashkët të dy qeverive, duket se Rama nuk ka ndryshuar pozicion dhe se takimi nuk do të mbahet.

Paraprakisht, Rama këtë paradite do të jetë në Shkup ku do të takojë kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski ku pritet të kenë edhe një konferencë të përbashkët për shtyp në mesditë.

Pas Kosovës, Rama do të udhëtojë drejt Bosnjës, pastaj në Mal të Zi si dhe e mbyll turin e tij në Serbi.

Back to top button