Rama në Këshillin e Evropës për raportin e Martyt

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama do të mbajë sot fjalim në Këshillin e Evropës, ku do të kërkojë rishikimin e Rezolutës 1782 dhe të shpallen të pabazuara akuzat për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës
“Kur bota kthehet përmbys dhe viktimat kthehen në fajtorë, atëherë çdo gjë është e mundur… Nesër fjala ime në Këshillin e Evropës”, u shpreh Rama dje në një postim në rrjetet sociale.
Kryeministri Rama në fjalën e mbajtur në 24 shtator në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara i kërkoi Asamblesë të pranojë kërkesën e Shqipërisë për të pasur një raport vijues në lidhje me akuzat kundër UÇK-së të parashtruara në raportin e Dick Martyt.
Rama tha se “raporti i tij ishte tronditës. Jo vetëm që shumë asokohe e besuan, por u shndërruan në faktorë kyç të ushqimit të idesë dhe të ngritjes së dhomave të specializuara të Gjykatës për Kosovën. Po kështu u bë një prej rasteve më të këqija të realitetit të shtrembëruar, lloj i manifestit për propagandën mbarëbotërore kundër pavarësisë së Kosovës”.
Kuvendi i Shqipërisë i përcolli në 12 gusht të këtij viti zyrtarisht Këshillit të Evropës rezolutën “Mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri”, miratuar unanimisht në Kuvendin e Shqipërisë më 21 korrik 2022.
Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës i kërkohet të rishikojë Rezolutën 1782 (2011), ku të shpallen të pabazuara pretendimet për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/apo në Kosovë, në dritën e zhvillimeve që kanë ndodhur gjatë kësaj dekade, fakteve, provave dhe informacioneve të përditësuara, sikurse dhe përsa i përket angazhimit, gatishmërisë dhe bashkëpunimit të plotë të Shqipërisë dhe Kosovës në shërbim të së vërtetës dhe vendosjes së drejtësisë.

Back to top button