Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama njoftoi se do ta tërheq padinë  për shpifje ndaj ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Do ta tërheq padinë jo se është e vogël për mua, por sepse është shumë më e madhe ajo që sot duhet të bashkoj të gjithë. Nuk e di çfarë roli ka tërheqja e padisë për rolet mes nesh, për më tepër me padi e pa padi, me shpifje e pa shpifje, Ramush Haradinaj nuk është kryeministri, politikani, por është një prej figurave historike, nga ai vend nuk mund ta heq askush, sado kryeministër i keq që të jetë. Padia do të tërhiqet zyrtarisht”, tha Rama.

Në janar të këtij viti, Rama ka bërë padi ndaj Haradinajt, në GJykatën Themelore në Prishtinë për deklaratën e bërë prej tij, kur tha se Edi Rama, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq do të merrnin 10 miliardë Euro për ndarjen e Kosovës./21Media