Kryeministri i Qeverisë së Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar pas aktakuzës së konfirmuar dhe dorëheqjes nga posti i presidentit, Hashim Thaçi.

Rama ka shkruar se Thaçi ka gjithë solidaritetin e Shqipërisë në këtë betejë të radhës për Kosovën.

“Hashim Thaçi ka gjithë mbështetjen e solidaritetin e Shqipërisë në këtë betejë të radhës për Kosovën dhe për drejtësinë e pacënueshme të Luftës Çlirimtare! Procesi absurd ndaj tij do të vulosë përfundimisht pastërtinë e UÇK-së dhe pamundësinë për ta rishkruar historinë e saj”, ka shkruar ai në Twitter.

Përveç presidentit Hashim Thaçi, aktakuza nga Specialja iu konfirmua edhe liderit të PDK-së, Kadri Veselit dhe deputetit nga VV-ja, Rexhep Selimi. Në vazhdë të këtyre zhvillimeve, dje ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi është arrestuar nga hetuesit e Gjykatës Speciale dhe është dërguar për në Hagë./21Media