Rama thotë se Gërmisë po i rikthehet teleferiku

Kryetari i Prishtinës, Perparim Rama, ka bërë të ditur se po e rikthejnë teleferikun e Germisë, derisa ka shtuar se parku është hapësirë e përbashkët, dhe një potencial i pashfrytëzuar.

Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, Rama ka thënë se hapat konkretë për realizimin e këtij projekti janë diskutuar në një takim me me përfaqësues të komunitetit sportiv, organizatave rekreative dhe institucioneve relevante.

Postimi i plotë:

Po e rikthejmë teleferikun e Gërmisë

Rikthimi i ski-liftit nuk është thjesht një projekt, është rikthim i një ndjenje që shumëkush e mban mend, dhe një mundësi e re për brezat që vijnë.

Gërmia ka qenë gjithmonë më shumë se një park,  është hapësira jonë e përbashkët, frymëmarrja e qytetit dhe një potencial i pashfrytëzuar për t’u kthyer në një pistë të vërtetë skijimi dhe pistë për sporte tjere reakreative.

Në një takim të zgjeruar me përfaqësues të komunitetit sportiv, organizatave rekreative dhe institucioneve relevante, janë diskutuar në detaje hapat konkretë për realizimin e këtij projekti, i cili tashmë po merr trajtë të qartë zhvillimore.

Duke qenë se Gërmia është zonë e mbrojtur, çdo hap do të ndërmerret me kujdes maksimal, në përputhje të plotë me standardet më të larta mjedisore dhe kornizën ligjore në fuqi.

Në koordinim të ngushtë me institucionet qendrore, po punohet intensivisht për qartësimin e procedurave dhe krijimin e bazës së nevojshme ligjore dhe teknike për jetësimin e këtij projekti.

Një zhvillim i madh është në horizont.

Back to top button