Rama: Unë dhe Vuçiq kemi qëndrime krejtësisht të ndryshme për Kosovën

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se ai dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kanë qëndrime krejtësisht të kundërta kur bëhet fjalë për Kosovën.
“Presidenti Vuçiq dhe unë kemi gjithmonë qëndrime shumë të forta, pikëpamje krejtësisht të ndryshme për çështjen e Kosovës, të cilën ai e quan Kosovë dhe Metohi. Për mua është shteti i lirë, demokratik, sovran i Kosovës. Por nëse situata është e tillë për momentin, mendoj se ndërkohë gjërat, e dini, po përparojnë, gjërat po ndryshojnë. Gjërat po ecin në drejtimin e duhur. Ngadalë, por ata po lëvizin. Dikur nuk kishim komunikim dhe ishte e pamundur të imagjinohej që serbët dhe shqiptarët të ishin në të njëjtën tryezë. Pra, do të duhet kohë, do të duhet kohë, por kjo është në rregull.”, ka thënë Rama për televizionin malazias A Plus TV.
Ai ka komentuar edhe deklaratën e Vuçiq në Davos, lidhur me dialogun me Kosovën.
“E ndoqa deklaratën e fundit të presidentit Vuçiq nga Davos dhe mendoj se ishte mjaft e respektueshme duke pasur parasysh mënyrën se si ai shprehu nevojën për të ecur përpara. Sigurisht, në mënyrën e tij karakteristike shumë të veçantë të komunikimit, por tregoi respekt”, ka deklaruar Rama./21Media

Back to top button