Ramadani: Konfrontimi verbal me NATO-n dëmtoi mundësinë e hapjes së Urës mbi Ibër

Ish-kryeinspektori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Burim Ramadani, tek e ka quajtur absurde mos-hapjen e plotë të Urës mbi Ibër, ka thënë se konfrontimi verbal i Qeverisë me NATO-n e ka dëmtuar mundësinë e hapjes së saj.

Ai ka thënë se ideja e hapjes së plotë të kësaj ure për qarkullim duhet të rifillojë me komunikim strategjik me NATO-n.

“Besoj që trumbetimi dhe konfrontimi deklarativ verbal me NATO-n dhe KFOR-in i ka bërë dëm jashtëzakonisht të madh mundësisë së hapjes së urës. Pra ndonjëherë mund të shtrohet pyetja nëse këta pushtetarë, vërtetë kanë dashur ta hapin urën apo kanë dashur vetëm të konfrontohen me NATO-n dhe ta vendosin NATO-n në një situatë jo të mirë para qytetarëve të Kosovës, për të cilën, besoj nuk kanë arritur sepse qytetarët e Kosovës i besojnë NATO-s dhe duan që Kosova të jetë në NATO”, ka thënë ai për kp.

Pas mbylljeve të disa zyrave paralele të Serbisë, qytetarët e komunitetit serb në veri të Kosovës kanë filluar të protestojnë. Për këtë lloj organizimi politik, Ramadani ka theksuar se është i shtyrë, i nxitur dhe financuar nga Beogradi zyrtar. Sipas tij, Kosova nuk duhet të bjerë pre provokimeve dhe ta ketë prioritet mirëqenien dhe prosperitetin të çdo qytetari të Kosovës, pavarësisht se cilës etni i takojnë.

Back to top button