Raportimet për kurdisjen e ndeshjeve në Superligën e Kosovës, reagon MKRS

(Lajm i përditësuar)
Ministria  e Kulturës Rinisë dhe Sportit ka reaguar lidhur me rastin e raportimeve në mediat me në lidhje me raportimet për kurdisjet e disa ndeshjeve të Superligës së futbollit të Kosovës.
“Këshilli Kombëtar për parandalimin dhe sanksionimin e dhunës dhe dukurive negative në ngjarjet sportive, ashtu siç e ka njoftuar opinionin edhe me prononcimet e më hershme, ka kërkuar dhe do të angazhohet në vazhdimësi që çdo dyshim i ngritur për kurdisje të ndeshjeve sportive të hetohet nga organet përkatëse shtetërore, dhe përgjegjësit të dalin para ligjit”, thuhet në njoftimin e MKRS-së.
Me kërkesën e Këshillit për Sport, prokuroria e shtetit, në mbështetje të Policisë së Kosovës është duke u marrë me trajtimin e çdo dyshimi të ngritur për kurdisje të ndeshjeve sportive, duke përfshirë edhe rastin e publikuar në media.
“Meqenëse rastet për dyshime të kurdisjeve janë në fazën e hetimeve, përfshirë këtu edhe bashkërendimin me autoritetet e Francës dhe organizatat ndërkombëtare të sportit, ne si Këshill nuk mund të japim ndonjë informatë shtesë që mund të dëmtojë hetimet, mirëpo e përsërisim angazhimin tonë të palëkundur dhe të të gjitha autoriteteve tjera shtetërore për hetimin e çdo dyshimi të ngritur për kurdisje të ndeshjeve sportive”, thuhet më tej në njoftim.
12: 10-Raportet për kurdisjen e ndeshjeve, FFK-ja zotohet për bashkëpunim me autoritet në ndriçimin e rasit
Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës, në mbledhjen e mbajtur sot, shqyrtoi raportimet lidhur me pretendimet në mediat lokale dhe ndërkombëtare për parregullsi në ndeshje të Superligës së Kosovës.
KE ka ndërmarrë menjëherë masat e nevojshme për ta hulumtuar rastin dhe për ta adresuar atë në mënyrë urgjente tek organet kompetente,  bëhet e ditur në njoftimin e Federatës së Futbolit
“KE i FFK-së e ftoi në raportim zyrtarin për Integritet të Garave dhe i njëjti vuri në pah se në vazhdimësi i ka raportuar të gjitha çështjet dhe parregullsitë potenciale tek Këshilli për Parandalimin e Dhunës dhe dukurive tjera negative në sport, si organ kompetent në Republikën e Kosovës që merret me dukuritë negative. Zyrtari për Integritet të Garave e njoftoi KE-në se në vazhdimësi ka qenë në kontakt edhe me zyrtarët e UEFA-s dhe për çdo parregullsi e ka informuar Këshillin e lartpërmendur dhe nëse ka pasur nevojë edhe organet disiplinore.”, thuhet në komunikatë.
FFK, zotohet se  së bashku me autoritetet në Kosovë, do të koordinohet me UEFA-n dhe organet tjera ndërkombëtare për hetimin e këtij rasti dhe varësisht prej rezultateve të hetimit, organet disiplinore do të ndërmarrin masat e nevojshme ndaj klubeve apo individëve të përfshirë në parregullsitë eventuale.
“FFK, rikujton se tash e disa vjet nëpërmjet zyrtarit të saj për Integritet të Garave dhe UEFA-në, kanë mbajtur seminare dhe takime me stafe të klubeve dhe futbollistë për sensibilizim në parandalimin e ndërhyrjeve të keqbërësve në futboll, teksa në vazhdimësi i monitoron të gjitha ndeshjet, në partneritet të plotë me kompanitë e aranzhuara nga UEFA rreth kësaj çështje. FKK është plotësisht e gatshme të bashkëpunojmë me çdo autoritet të Republikës së Kosovës dhe me ato ndërkombëtare, në mënyrë që të ruhet integriteti i futbollit dhe i sportit kosovar në përgjithësi. Kampionati ynë vitet e fundit është rritur jashtëzakonisht shumë si në aspektin e cilësisë, ashtu edhe në atë të organizimit dhe të investimeve, prandaj si FFK do të qëndrojmë vigjilent dhe do të jemi zero tolerant ndaj keqpërdoruesve dhe çdo gjëje që e njollos integritetin e garës dhe imazhin e futbollit tonë.”, përfundon njoftimi.
11:31- Raportimet e mediave franceze për kurdisjen e ndeshjeve, Prokuroria po trajton rastet
Prokuroria Themelore e Prishtinës po i trajton rastet e raportua në mediat franceze për kurdisje të ndeshjeve.
Mediumi “Le Figaro” shkroi se nëntë persona, prej tyre katër kosovarë, janë arrestuar në Francë pasi akuzohen se janë përfshirë në kurdisje të ndeshjeve, të realizuara në bastore në Francë dhe në Kosovë.
“Duke u nisur nga shkrimet e publikuara ditëve të fundit në portalet vendore, lidhur me rastet e kurdisjeve të ndeshjeve futbollistike kosovare, Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton opinionin publik se, është duke i trajtuar këto raste, andaj për shkak të integritetit të procesit në të cilën gjenden, nuk mund të japim detaje të tjera për opinionin e gjerë.”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë për portalin rtv21.tv.
Lidhur me këtë ka reaguar Klubi i Futbollit Llapi i cili është përfshirë në këtë raportim
Ky klub ka mohuar pretendimet e mediave duke i quajtur shkrime tendencioze.
10:31- Mediat franceze akuzojnë Llapin për kurdise të ndeshjeve, reagon klubi
Klubi i Futbollit Llapi ka reaguar në orët e mesnatës pas raportimeve të mediave franceze për përfshirje të këtij klubi në skandalin e kurdisjes së ndeshjeve.
Ky klub ka mohuar pretendimet e mediave duke i quajtur shkrime tendencioze.
“Ftojmë gjithë tifozët llapjanë që mos të bien pre e këtyre shkrimeve tendencioze dhe qëllim keqe që kanë për qëllim të njollosin emrin e klubeve të caktuara dhe vetë Superligës.K.F. Llapi ju njofton se nuk ka asnjë informatë të vetme të konfirmuar nga organet e hetuesisë rreth këtyre pretendimeve siq janë publikuara nga portalet dhe gazetat e ndryshme.”, thuhet ndër tjerash në reagimin e Llapit
Mediat franceze mbrëmë raportuan një skandal të ndodhur në futbollin në Kosovë.
Mediumi “Le Figaro” shkroi se nëntë persona, prej tyre katër kosovarë, janë arrestuar në Francë pasi akuzohen se janë përfshirë në kurdisje të ndeshjeve, të realizuara në bastore në Francë dhe në Kosovë./21Media

Back to top button