Kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi, pas pesë rasteve të reja me koronavirus në komunën që ai e drejton u bëri apel qytetarëve që të respektojnë rekomandimet e IKSHPK-së.

“Sipas njoftimeve të IKSHPK-së, në Obiliq kemi pesë raste të reja pozitiv me Covid-19 në fshatin Milloshevë, rastet në fjalë janë raste kontakti, familjarë të të infektuarit, katër ditë më parë, të cilët janë në vetizolim.Ekipet e QKMF-së po qëndrojnë në kontakt të vazhdueshëm me personat e infektuar dhe në të njejtën kohë po krijohet lista e kontaktit nga ana e tyre, me persona të tjerë. Bashkëqytetarë të nderuar, lehtësimi i masave është bërë për të na bërë më të përgjegjshëm, por rreziku ndaj këtij virusi nuk ka kaluar ende, andaj ju lutem secilit prej jush që të respektoni me përpikëri rekomandimet e IKSHPK-së, bartja e maskave dhe dorëzave të jetë pjesë e rutinës tonë të përditshme.”, shkroi Gashi në facebook.

Ai më tutje shtoi që të respektohen masat. “Kujdesu për veten, familjen dhe qytetin tonë!”, shtoi më tutje Gashi.

Sot Instituti Kombëtar i Shëndetësisë publike njoftoi edhe për 40 raste të reja me koronavirus në Kosovë.

Rastet pozitive sipas IKSHPK-së janë nga: Komuna e Prishtinës 10 raste (sipas vendbanimit: 10 raste Prishtinë), Komuna e Vushtrrisë 8 raste (sipas vendbanimit: 6 Vushtrri, 1 Akrashticë, 1 Maxhunaj), Komuna e Prizrenit 7 raste (sipas vendbanimit: 4 Tupec dhe 3 Prizren), Komuna Fushë Kosovë 6 raste (sipas vendbanimit: 3 Fushë Kosovë dhe 3 Miradi e Poshtme), Komuna Obiliq 5 raste (sipas vendbanimit: 5 Milloshevë), dhe me nga 1 rast Komuna Skenderaj (vendbanimi: 1 Likoc), Komuna Gjilan (sipas vendbanimit: 1 Gjilan), Komuna e Rahovecit (sipas vendbanimit: 1 Rahovec) dhe Komuna e Mitrovicës (sipas vendbanimit: 1 Mitrovicë).

“Nga data 08 shkurt deri më 07 qershor 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 16.674 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 1.234 raste, me gjithsej 31 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.”, njoftoi IKSHPK./21Media