Rasti i 5-vjeçarit në Lipjan, Prokuroria autorizon hetime për zyrtarët e QPS-së

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka njoftuar se i ka lëshuar autorizim Policisë së Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve shtesë lidhur me rastin e keqtrajtimit të fëmijës 5-vjeçar në komunën e Lipjanit.
Sipas Prokurorisë, qëllimi i këtij autorizimi lidhet me ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore për të identifikuar përgjegjësinë eventuale të zyrtarëve të Qendrës për Punë Sociale në Lipjan, apo zyrtarëve tjerë kompetent të kësaj komune,.
“Qëllimi i këtij autorizimi lidhet me ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore për të identifikuar përgjegjësinë eventuale të zyrtarëve të Qendrës për Punë Sociale në Lipjan, apo zyrtarëve tjerë kompetent të kësaj komune, që kanë pasur kontribut direkt apo indirekt në shkaktimin e pasojave në këtë çështje konkrete. Prokurori i shtetit, me përkushtim të lartë kujdeset për të ndjekur kryerësit e mundshëm e veprave penale dhe për të zbardhur kryerjen e këtyre veprave, e me theks të veçantë në rastet kur kemi të bëjmë me mbrojtjen e fëmijëve, si një kategori e ndjeshme e shoqërisë”, thuhet në njoftim.