Rasti i foshnjes në Pejë, MSh liroi nga detyra u. d. të kryeinspektorit Shëndetësor

Ministria e Shëndetësisë sot ka informuar se pas rastit të ndodhur në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, është liruar nga detyra u. d. i kryeinspektorit të Inspektoratit Shëndetësor, Shaban Osmanaj.
MSh ka potencuar se në rastin në fjalë ka dështuar zbatimi i detyrave dhe misionit.
“Konkretisht ka munguar komunikimi, informimi i drejtë dhe mbi të gjitha adresimi në kohë i rastit nga ana e Inspektoriatit Shëndetësor. Duke shprehur sinqerisht keqardhjen më të thellë për familjarët dhe të afërmit që janë ballafaquar me këtë ngjarje tepër të rëndë, ripërsërisim se etika dhe mbrojtja e dinjitetit njerëzor për pacientët e qytetarët në përgjithësi duhet të garandatohet në çdo rrethanë nga institucionet shëndetësore. Kush nuk mbërrin ta përmbushë këtë, nuk mund të vijojë të mbajë pozita menaxheriale. Në të njejtën kohë shprehim mbështetjen për Prokurorinë e Policinë që sa më parë që është e mundshme të ndërmarrin veprimet e duhura drejt zbardhjes së plotë të ngjarjes dhe adresimin e personave përgjegjës konkretë të veshur me këtë përgjegjësi.”, ka bërë të ditur MSh.
Ndërsa, u. d. Ministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha Bunjaku ka marrë të gjitha hapat për përgjegjësitë administrative dhe siç është shtuar, çështja po vijon të trajtohet deri në sqarimin përfundimtar.
Gjatë javës së kaluar në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, një foshnje e lindur pa shenja jete dyshohet se është futur në rrobalarëse, e mbështjellur me çarçafë nga personeli mjekësor.

Back to top button