Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, pas mbledhjes së Komitetit të Emergjencave për parandalimin e Covid-19, ka kërkuar respektimin e masave mbrojtëse nga qytetarët, në mënyrë që shëndeti publik të mos rrezikohet.

I pari i Gjilanit ka bërë të ditur se janë duke punuar me Qeverinë e Kosovës për zgjidhjen e kërkesave emergjente të spitalit regjional, duke përfshirë rritjen e kapaciteteve për kujdesin intensiv të të sëmurëve dhe fluksit eventual të të infektuarve, pasi në këtë institucion ofrohen shërbime shëndetësore për të gjitha komunat e Anamoravës dhe nevoja e mbështetjes është e domosdoshme.

“Vdekja e djeshme është alarm për të gjithë qytetarët, edhe për ata që e kanë humbur besimin në këtë infeksion, por edhe për ata që e konsiderojnë të rrezikshëm, apo për ata që e konsiderojnë grip të zakonshëm. Dita e djeshme ishte mort i madh në Gjilan, kemi humbur tre qytetarë të respektuar, që kanë humbur betejën me Covid. Sot Gjilani është në ditë zie, në shenjë respekti e dhimbje për qytetarët tanë. Ne po vazhdojmë me ndërmarrjen e masave adekuate kundër sëmundjes”, ka thënë Haziri.

Ai ka dhënë edhe shifrat e fundit të rasteve gjatë përballjes me pandeminë globale për Komunën e Gjilanit.

“Kemi 190 të shëruar plotësisht, raste aktive janë 130, të vdekur 7, ndërsa rasti i tetë, i një të riu që ka humbur jetën për shkak të problemeve shëndetësore, testi është marrë në gjendjen pas vdekjes dhe do të konstatohet nëse ka pasur infeksion me Covid apo ka vdekur si pasojë e problemeve tjera shëndetësore. Vdekja e këtij të riu ka qenë tragjedi jo vetëm për familjen Zeqiri në Gjilan, por për të gjithë qytetarët e komunës. Deri në këto momente që po flasim kemi pasur 327 të infektuar me Covid. Prej rasteve që i kemi aktive, 47 janë duke u trajtuar në spitalin regjional, prej të cilëve 24 janë me Covid dhe kanë nevojë për tretman intensiv, por s’kanë simptoma të rënda dhe trajtimi bëhet për shkak të oksigjenit në klinikën infektive dhe në repartet e spitalit”, ka thënë Haziri.