Rasti në Ferizaj, gjendja e vajzës 10-vjeçare është stabilizuar

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se është stabilizuar gjendja e vajzës 10-vjeçare që është një nga katër të plagosurit në sulmin e të hënës me thikë në Ferizaj.

Vitia ka thënë se falë intervenimit të mjekëve është shpëtuar jeta e vajzës, ndërsa ai ka thënë se në sulm dy persona kanë mbetur të plagosur rëndë.

“Na lajmëruan për rastin që ka ndodhur në Ferizaj, ku një person ka plagosur 4 persona. Dy prej tyre në gjendje të rëndë. Një vajzë e cila ka qenë jashtëzakonisht rëndë, pas intervenimit nga mjekët, e futjen në sallë të operimit, gjendja e saj është stabile tash dhe jashtë rrezikut për jetë. Personi tjetër është në gjendje më të rëndë. Është duke u trajtuar, reanimuar dhe rehabilituar në Klinikën Emergjente. Mund të ndodhë të ketë nevojë edhe ai për intervenim kirurgjik. Një tjetër person është transferuar në Klinikën Maksilofaciale, gjendja është stabile. Një tjetër person ka marrë ndihmën e parë në Spitalin e Ferizajt.

Gjendja është stabile dhe është lëshuar në shtëpi”, ka thënë Vitia, që ka falënderuar mjekët për intervenimin e shpejt.

Lidhur me rastiin ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka falënderuar po ashtu mjekët për intervenimin e shpejt. Ai ka thënë se agresori është arrestuar dhe me të po merren hetuesit policorë.

Back to top button