Gjykata Kushtetuese ka vendosur pro kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje rreth vlefshmërisë së votës së deputetit Ethem Arifi për zgjedhjen e Qeverisë Hoti, me çka edhe zyrtarisht vendo do të shkojë drejt zgjedhjeve të reja të parakohshme.

Pas këtij lajmi, kanë filluar reagimet nga Lëvizja Vetëvendosje. Haki Abazi ka theksuar se “drejtësinë dhe Demokracinë nuk e bëjnë lojrat e pazaret politike pas shpine dhe as lajmet e pavërteta e as propaganda e paguar, por e bën ligji dhe rendi kushtetues.”

“Edhe Serbia ka tentuar me tankse e ushtri të mbajë të shtypur vullnetin Shqiptar dhe e ka pasë të pamundur!”, ka shkruar Abazi në facebook.

Xhelal Sveçla ka postuar një foto të kryetarit të VV-së, Albin Kurtit, në të cilën shkruan: Albin Kurti-Kryeministër i Republikës së Kosovës.

Edhe kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri ka reaguar pas vendimit të Kushtetueses. Ai është shprehur se Kurti po vjen për të qendruar gjatë si Kryeministër i Kosovës.

“Kosova shumë shpejtë do t’i nënshtrohet procesit zgjedhor dhe njëherë e mirë qytetarit të Republikës tonë do t’i kthehet dinjiteti. Të dashurit e mi, fushata zgjedhore tashmë ka filluar, ju ftoj që të bëhemi bashk si kurrë më parë, t’i bashkojmë forcat tona dhe t’i japim Kosovës kahjen e duhur me Albin Kurtin Kryeministër. Mitrovica dhe gjithë Kosova me Albinin”, ka shkruar Bahtiri në facebook./21Media