Konsulli i përgjithshëm në Pragë të Çekisë, Flakron Shala, ka reaguar pas raportimeve për media për përzgjedhje të tij në këtë pozitë.

I biri i deputetit, Haxhi Shala ka thënë se ka pasur sfond të mjaftueshëm profesional që është përzgjedhur në këtë pozitë dhe se babai i tij nuk ka gisht në këtë punë.

Ai ka thënë se në pozitën Konsullit të Përgjithshëm i Republikës së Kosovës është emëruar sipas ligjit në fuqi me propozim të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe me dekretim të Presidentit të Kosovës.

Madje ai thotë edhe se gjithë procesi është bazuar në në CV të tij dhe përvojën siç shkruan ai pesë vjeçare në pozitën e menaxherit të shtetit për Ballkanin dhe si anëtar në bordin e drejtorëve në një kompani çeke.

“Nëse unë jam djali i një deputeti dhe ish-pjesëtari të UÇK-së, kjo nuk do të duhej të përbënte pengesë dhe as të nxiste debat publik për asnjë shtetas të Kosovës që të emërohet në detyra shtetërore dhe as për mua. Prindi im Haxhi Shala, si një deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk ka as më shumë e as më pak autoritet ligjor e politik se deputetët tjerë- pra deputeti nuk ka kompetencë të emëroj apo shkarkoj zyrtarët e MPJ-së dhe as Konsujt e Përgjithshëm. Jam i nderuar dhe i motivuar që si kuadër i përgatitur dhe edukuar në Republikën Çeke bashkë me përvojën time perëndimore, të përfaqësoj me dinjitet, profesionalizëm dhe kujdes Republikën e Kosovës kudo, në çdo takim, aktivitet apo detyra të Konsullit të Përgjithshëm”,thuhet në reagimin e tij.

Emërimi djalit të deputeti, Haxhi Shala si Konsull i Përgjithshëm në Pragë ka ngjallur shumë reagime. Lidhur me këtë ka reaguar edhe u.d. të presidentes, Vjosa Osmani. Ajo ka thënë se këto emërime janë bërë nga ish- Presidenti Thaçi, dhe se këto vendime do të shfuqizohen./21Media