Në faqen zyrtare të grupit “Troja” është publikuar një shkrim i gjatë i cili njofton se anëtarët e këtij grupi i kanë ndarë rrugët. Në këtë postim thuhet se raportet mes artistëve nuk janë si më parë dhe “muret e Trojës janë përçarë”.

Frontmeni i këtij grupi, Bujar Berisha në një reagim në Facebook u shpreh se nuk është e vërtetë që grupi u nda pas protestes së 12 qershorit, por që ky grup u nda qe dy vjet, për arsye private të anëtarëve të grupit.

“Nuk eshte e vertete qe grupi Troja u nda pas protestes se 12 Qershorit. E verteta eshte se ka dy vite qe grupi Troja nuk jemi bashke edhe nuk funksionojme si bend per arsye private te antarve te grupit!”, shkroi ai mes tjerash.

Mes tjerash u shpreh se edhe këngët që i ka performuar në këtë protestë, janë këngë që i ka shkruar ai vet.

“Publiku qe na ka percjelle gjate kesaj kohe, gati 30 vjeqare, duhet ta kene parasyshe se kenget te cilat i kam performu ne protesten e 12 Qershorit, jane kenge te cilat i kam shkru me doren time dhe per kete nuk i jap as nuk i kerkoj llogari askujt mbi kete toke, e aq me pak ndonje autori te nje shkrimi te tille!

Per mendimin tim ai shkrim nuk ka asnje qellim tjeter perveq perhapjes se mjegulles dhe zbehjes se vleres se protestes se 12 Qershorit e qe ne thelb duket mire se nga kush eshte i sponsorisuar dhe i perpiluar.”, ka shkruar mes tjerash Berisha në Facebook.

“Mbretnesha Kohë”, “Ameneti i Clownit”, “A e man n’men”, “Vendi im”, “Demokraci”, janë ndër hitet më të mëdha të këtij grupi./21Media