Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, sot ka reaguar për vendosjen dhe heqjen e flamurit të UÇK-së në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.

“Flamuri i luftës së UÇK-së vendin e ka në Organizatën e Veteranëve dhe Shoqatat e dalura nga lufta e UÇK-së, në memorialet, komplekset, lapidarët e dëshmorëve, akademitë dhe muzetë e luftës, por edhe mund të përdoret nga qytetarët në shenjë respekti për luftën.”, është bërë e ditur në reagimin e Organizatës.

OVL e UÇK-së kërkon nga partitë që për hir të çështjes së përgjithshme të kenë unitet politik dhe që flamurin e UÇK-së të mos e përdorin për interesa politike.

“Institucionet e shtetit të Kosovës kanë për obligim ruajtjen dhe kultivimin e vlerave të luftës dhe kjo bëhet me anë të miratimit dhe zbatimit të ligjeve, dhe i bëjmë thirrje institucioneve dhe qytetarëve që flamurin e UÇK-së të mos e përdorin për interesa politike.”, është theksuar më tutje në reagimin e OVL-së së UÇK-së.