Kryetar i subjektit politik Partia Liberale Egjiptiane(PLE), Veton Berisha, thotë se është informuar nga mediumet për një version të ri politik, i cili dirigjohet nga Lista Serbe se kinse janë formuar dy subjekte politike të komuniteteve joshumicë të cilat janë nën kontrollin e këtij subjekti politik.

Berisha nëpërmjet një komunikate për media thotë se fillimisht këtë e kishte konsideruar si formë të fushatës parazgjedhore por që pas rezultateve të publikuara nga Komisioni Qendror Zgjedhor, thotë të vërehet se subjekti politik Romani Iniciativa është produkt i Listës Serbe

“Partia Liberale Egjiptiane (PLE) është informuar nga mediumet për një version të ri politik, i cili dirigjohet nga Subjekti Politik “Lista Serbe” se kinse janë formuar dy subjekte politike të komuniteteve joshumicë të cilat janë nën kontrollin e këtij subjekti politik. Fillimisht, PLE e ka konsideruar këtë informatë si formë e fushatës parazgjedhore por pas rezultateve zgjedhore të publikuara nga KQZ në disa Komuna të Kosovës, vërehet qartë se Subjekti Politik “Romani Iniciativa” është produkt i “Listës Serbe” sepse ky subjekt politik ka marrë një numër të madh të votave në vendbanime ku nuk jeton fare komuniteti rom”, thuhet në komunikatën për media.

Berisha tutje ka shkruar se PLE veprimet e tilla i konsideron si shkelje të Kushtetutës së Kosovës dhe votës së lirë, duke ftuar misionet diplomatike, subjektet politike dhe organet e tjera që të reagojnë ndaj kësaj pasi që siç thekson kjo në të ardhmen mund të bëhet precedent i rrezikshëm.

“PLE, veprimet e tilla i konsideron si shkelje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe votës së lirë prandaj PLE fton misionet diplomatike, subjektet politike dhe organet e tjera të drejtësisë që të reagojnë ndaj kësaj padrejtësie sepse nëse tani nuk do të reagohet, kjo praktikë do të bëhet në të ardhmen precedent i rrezikshëm, i cili do të cenojë të drejtën e votës së lirë të qytetarëve. PLE do të pres deri në rezultatet preliminare dhe pas publikimeve të tyre, do të ndërmerr veprime të tjera procedural sipas ligjeve në fuqi”, thuhet në komunikatën e PLE-së./kp