Dy nga skuadrat më të mira në histori të garave evropiane do të takohen sot në kryeqytetin e Spanjës, ku Real Madridi pret në shtëpi gjigantin anglez Liverpoolin, në kuadër të ndeshjes së parë të fazës së çerekfinales së Ligës së Kampionëve.

Madridi, që është 13-të herë fitues i kësaj gare, do të shikojë që sot të shfrytëzoj avantazhin si vendas dhe të nxjerr një rezultat pozitiv, para ndeshjes së kthimit në stadiumin “Anfield” me datë 14-të prill.

“Galaktikët” mposhtën Liverpoolin në finalen e sezonit 2017/18 me rezultat 3:1, ku në të njëjtën ndeshje mbrojtësi i Real Madridit Sergio Ramos pas një ndërhyrje jo të mirë, e lëndoi yllin e “Të Kuqve”, Mohamed Salah. Kështu, skuadra angleze do të ketë motivim që të hakmerret sot në Madrid, dhe të kërkoj me ngulm një rezultat pozitiv, që të ketë më të lehtë punën në ndeshjen e kthimit në “Anfield”.

Në gjashtë ndeshjet e fundit në të gjitha garat, Real Madridi ka katër fitore dhe dy barazime, kurse Liverpooli ka regjistruar katër fitore dhe dy humbje.

Të dy trajnerët do të kenë probleme me lëndime, ku Zinedine Zidane do të jetë në këtë ndeshje pa shërbimet e Sergio Ramos, Dani Carvajal dhe Federico Valverde, kurse në dyshim për tu paraqitur është belgu Eden Hazard.

Në anën tjetër, Jurgen Klopp nuk do të mund të llogarisë në kapitenin Jordan Henderson, dhe mbrojtësit Joel Matip, Joe Gomez e Virgil van Dijk.

Formacionet e mundshme të dy skuadrave i gjeni më poshtë.

Real Madrid (3-5-2): Courtois; Varane, Militao, Nacho; Vazquez, Modric, Casemiro, Kroos, Mendy; Vinicius, Benzema.

Liverpool (4-3-3): Alisson; Alexander-Arnold, Phillips, Kabak, Robertson; Thiago, Fabinho, Wijnaldum; Salah, Firmino, Mane.