“Galaktikët” shënuan fitore të rëndësishme kundër Barcelonës në garën për titullin e La Ligas.

Real Madridi ka shënuar fitore me rezultat 2:1 kundër Barcelonës, ndeshje kjo e njohur ndryshe edhe si “El Clasico”, në kuadër të xhiros së 30-të të La Ligas.

Madrilenët e filluan ndeshjen në mënyrë fantastike, ku fillimisht Karim Benzema shënon gol në minutën e 13’ për 1:0, dhe më pas Toni Kroos nga goditja e lirë në minutën e 28’, shënon për 2:0.

Me këtë rezultat 2:0 në favor të Realit, u mbyll pjesa e parë.

Në pjesën e dytë, Barcelona tregoi që nuk i ka humbur shpresat në këtë ndeshje, ku përmes mbrojtësit Oscar Minguez, në minutën e 60’ ngushton rezultatin në 2:1.

Goli i Minguez doli të mos ishte i mjaftueshëm për “Blaugranët”, pasi që pas 90’ minutave lojë, rezultati dhe tre pikët i takuan skuadrës së Real Madridit.

Me këtë fitore, Reali ngjitet në pozitën e parë me 66 pikë, aq sa ka edhe vendi i dytë Atletico Madridi por me një ndeshje më pak, kurse Barcelona pozicionohet në vendin e tretë me gjithsej 65 pikë.

Real Madridi ka arritur që t’i fitojë dy ndeshjet e këtij sezoni në La Liga kundër Barcelonës, ose thënë ndryshe ka triumfuar në dy “El Clasicot”, në të parën si mysafirë me rezultat 3:1, dhe sot si vendas me rezultat përfundimtar 2:1.