Nga: Bujar Meholli

Miku i Kafkës është roman postmodern, i ndërtuar mbi proces letrar të pazakontë, ku autori me mjeshtri e mban vëmendjen e lexuesit deri në faqen e fundit. Teksti është i përbërë nga tri pjesë dhe 75 fragmente të lidhura së bashku me temën, jo me strukturën. Ky roman shpalos përpara lexuesit një histori interesante të mbushur me emocion, lidhjen e dy shkrimtarëve të famshëm, Franz Kafkës dhe Max Brodit. Miqësia e hershme e Kafkës dhe Brodit është në qendër të vëmendjes në roman, për të cilin vetë autori thekson se ka punuar shumë për ta jetësuar dhe thotë se është nga romanet më të shquar të tij. “Kam kaluar kohë të gjatë duke zhbiriluar jetën e Kafkës, për të arritur deri te përpilimi i një mozaiku të ndërlikuar të kësaj jete”, thotë ai.

Ngjarjet e romanit, të përkthyer nga Ben Apolloni, vendosen kryesisht në Pragë gjatë periudhës 1903-1924, pjesërisht në Vjenë, Berlin dhe Tel Aviv (1953). Fillimi i shekullit 20-të, dhe vitet e para pas Luftës së Parë Botërore përshkruhen në tekst, krahas biografisë së dy personazheve. Gavrani si autor bashkëkohor e respekton pjesërisht faktografinë e jetës së Kafkës së Brodit, ndërsa pjesa tjetër paraqet një histori të papritur. Stili prozaik i tij është i veçantë, shquhet për ritmin që e përshkon tërë romanin. Gavrani dëshiron t’i ikë monotonisë. Fjalitë nuk janë të zgjatura, e tejzgjatura, çka krijon një tërheqje të jashtëzakonshme gjersa e lexon. Miku i Kafkës është pritur mjaft mirë nga kritika dhe në vitin 2012 ka fituar çmimin prestigjioz nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kroacisë, që e ndan për letërsinë. Deri në ditët e sotme, është përkthyer dhe botuar në holandisht, çekisht, sllovakisht, arabisht, shqip, frëngjisht, e në gjuhën esperanto.

Miro Gavran

Gavrani shquhet për përdorimin e emrave të njohur të shkrimtarëve duke i vendosur në tituj, apo edhe duke i bërë personazhe, si te drama Nata e zotave ku personazh kryesor është Molieri, apo te romani Çehovi i thotë lamtumirë Tolstojit. Nganjëherë brenda teksteve, të krijohet përshtypja se Gavrani shkruan poezi brenda prozës. Siç thamë më sipër, stili i tij i veçantë e tërheq fortë lexuesin drejt tekstit, të cilin e bën që ta lexojë me një frymë. Letërsia bashkëkohore, veçanërisht postmodernizmi mëton që tekstin mos ta dendësojë me rrëfime të gjata siç kemi hasur në kohë më parë te autorë si Tolstoy, Balzac, ose Dostoevsky, letërsia e të cilëve shquhet për përshkrimin e hollësishëm, që nganjëherë jua merr 10 deri në 20 faqe të tekstit. Çdo tekst i Gavranit është inspirues. Bota e sotme është e shpejtë, dinamike, dhe lexuesit nuk kanë përqendrimin e duhur për përshkrime të gjata dhe të detajuara.

Filozofinë dhe urtësinë që e gjejmë te veprat e autorëve Krleža, Andrić apo Selimoviç, nuk e gjejmë te Miro Gavrani, te i cili gjejmë diçka tjetër; një fije të hollë që magjishëm na lidh me tekstet e tij. Fuqia e pendës së Gavranit, na mban të mbërthyer dhe në tension – për të papriturat dhe kthesat gjatë tekstit, të cilat na i japin fund dilemave tona të krijuara në lexim e sipër. Gërshetimi i realitetit me fiksionalen, te Gavrani është mjaft i realizuar. Në disa pasazhe, shquhen skenat erotike pasionante, të cilat kroati i përshkruan me shumë delikatesë.

Max Brodi, njeriu që i detyrohet tërë bota e artit për shpëtimin e veprave të Kafkës, mikut të tij, në roman na del një personazh i çuditshëm. Ai flirton me Julian, të ëmën e Kafkës, e cila përshkruhet si një zonjë e fiksuar pas Brodit, e etur për seks dhe për dashuri që i mungonte nga ana e Hermanit, bashkëshortit të saj. Dhoma e Leximit të studentëve gjermanë është vendi ku dy të rinjtë takohen dhe bëhen miq në vitin 1903. Max Brodi është djalosh i talentuar që luan muzikë, kompozon, e shkruan artikuj për gazeta.

Por, megjithatë nuk e arrin dot mendimin e mikut të tij, Franzit, i cili një vit më i madh në moshë ka qëndrime të forta,  të palëkundshme. Një tis i hollë xhelozie vërehet gjithherë tek Max-i, përkundër që mbetet miku më i madh i Kafkës, dorëshkrimet e së cilit i mbeten atij, me amanetin që t’i djeg, të cilin nuk e çon në vend. Në një pjesë të mirë të romanit, përshkruhet lidhja e Max-it me Julian. Shenjat e para të kësaj lidhje, shfaqen në mbrëmjen e organizuar për ditëlindjen e së voglës së shtëpisë, Otilias, motrës së Franzit. Aty Max-i luan operetën lirike të njohur Dashnorët e hareshëm, derisa Julia këndon përkrah tij me zërin e saj të ngrohtë. Këtu, Max-i e mbërthejnë ndjenjat e forta për gruan, të cilën nuk e sheh si nënën e mikut, por si një grua tërheqëse për të cilën nis të ëndërrojë. Gratë, në fakt lozin rol të rëndësishëm në roman. Ato janë përcaktuese në vazhdimin e lidhjes së miqve të vjetër. Kafka, nuk është dashnor shembullor. Ai prish fejesën me Felicen, pastaj honepset me ta takuar gazetaren Milena në kafenenë Arco ku mblidheshin intelektualët, dashuria e të cilit për të është platonike. Ja, një skenë kur ai ndodhet me Milenën, në mal: Ia kapi duart në çastin kur ajo po zbulonte gjoksin dhe edhe me më shumë vendosmëri bërtiti: – Ndal! Ti e di sa shumë të dua, por nuk mundemi këtu në mal. – Pse jo? – – Nuk jemi kafshë. E bëri të turpërohej. Ajo u vesh me shikimin e ulur për tokë. Turpin që ia shkaktoi, Franci u mundua që ta lehtësonte me puthjet e buta që ia dhuroi vetëm pasi ajo e kopsoi edhe pullën e fundit. Edhe përkundër kësaj, ajo ndihej e poshtëruar[1]. Gruaja e fundit në jetën e tij është e bukura Dora Diamanti, me të cilën rron në kushte të rënda, në Berlinin e papërshtatshëm për jetesë pas luftës, derisa vdes më 1924 i shkatërruar nga tuberkulozi.

Maksit iu bë e qartë se Franci po bënte çdo gjë vetëm që ta kënaqte Dorën dhe t’i afrohej botës së saj. Lumturia dhe përmbushja e saj ishin të vetmet që kishin rëndësi për Francin. Me ngazëllim ata të dy flisnin për jetën e tyre të përbashkët, për fëmijët që i dëshironin, për martesën të cilën do të bënin pasi Franci do t’ia dilte që me një letër të formuluar me mjeshtëri, ta luste babain e saj për bekim.[2]

Max-i ishte i martuar me Elsën, e cila pas një kohe vdes, pastaj ka një aferë edhe me Milenën, e cila në fakt gjithherë ka ndjerë dashuri për të. Në pasazhin e fundit të romanit, Max-i pasi mbledh dhe sistemon të gjitha veprat e Kafkës: Procesi, Metamorfoza, Amerika, e Kështjella, bashkë me tregimet dhe i boton ato, e mban konferenca nëpër botë për të, kupton këtë sekret nga gazetarja Jana, mike e Milenës.

– Ajo admironte karakterin tuaj. Vlerësonte sjelljen tuaj ndaj njerëzve të tjerë. Shumë herë më ka thënë: “Vetëm me Maksin gjithmonë e dija në çfarë jam. Ai është njeriu më i kujdesshëm në të gjithë botën.” Kurrë nuk ka pushuari së dashuri juve. Fjalët e Janës i shkaktuan dhimbje. Në vetëm një moment, e kapluan ndjenjat e forta para të cilave ai përsëri u tregua i dobët dhe i pafuqishëm.[3]

Romanit Kështjella, gjersa ia lexon faqen e parë, e përplas për muri dhe kështu mbyllet romani: U ul pranë tryezës së punës.

Para tij ishte libri i Kakës, Kështjella. E mori në duar, e shfletoi faqen e parë, e një çast më pas me forcë, e hodhi për muri.[4]

Jeta dhe vepra e Franz Kafkës, shkrimtarit të madh natyrisht që është bërë pjesë e diskutimeve për letërsinë në Evropë dhe jashtë saj. Për historianët dhe studiuesit, gjurmimi në jetën e tij është interesant, edhe për faktin se është e lidhur me tekstet e tij. Dhe, nga ngjarjet kryesore të jetës së tij është miqësia me Max Brodin, po ashtu shkrimtar dhe shpëtimtar i letërsisë kafkiane.

Gavrani me titullin Miku i Kafkës sugjeron se lidhja miqësore mes Kafkës dhe Brodit është tema kryesore e romanit, gjatë të cilit na paraqiten këto dy figura që nga vitet studentore, deri te mosha e pjekur dhe e shtyrë. Megjithëse i bazuar deri diku në fakte, komploti i romanit është më shumë produkt i imagjinatës së Gavranit. Teksti flet kryesisht për marrëdhëniet mes miqve, idealet, qëndrimet, e mendimet e tyre për letërsinë. Ja, një pasazh:

Niçe është sharlatan. Pikëpamjet e tij nuk janë filozofike, thotë Maksi. Ishte hera e parë që në praninë e Francit po e sfidonte Niçen. Franci papritmas e thirri kamerierin, pagoi pijet, u ngrit dhe vendosmërisht tha: – I dashur Maks, sa lehtë e shpreh mendimin për njeriun e madh. Do të vazhdoj të besoj në ty vetëm pasi ta kesh lexuar edhe një herë librin e Niçes Lindja e tragjedisë nga shpirti i muzikës.

Maksi e kuptoj sa rëndësi u jepte Franci fjalëve të tij. Me të nuk mund të llomotitej, me të mund të bisedohej vetëm seriozisht. Dhe po atë natë përsëri në duar mbante librin e Niçes.[5]

Lidhja e Franzit me prindërit është e dhënë shkurtimisht, ndërsa skenat që krijojnë kapitujt më të gjatë në roman janë skenat erotike, ndaj së cilave autori duket të jetë i obsesionuar. Flirti i Max-it me nënën e Kafkës dhe më vonë me të dashurën e Kafkës, gazetaren Milena, janë kapitujt më të përshkruar, në të cilët Gavrani duket se e lë pendën lirshëm.

Sipas gazetarit dhe kritikut kroat Ivan Telebar, Gavrani në këtë roman ka lënë jashtë shumë nga faktet e jetës së Kafkës, përveç disave nga dashuria e tij: Nëse doni të dini më shumë për jetën e Kafkës, nuk duhet të niseni nga ky roman. Ju duhet ta lexoni biografinë e Kafkës nga kritiku britanik Ronald Hayman; aty do të gjeni gjithçka që doni të dini. Kam përshtypjen se Gavrani, historinë e mori vetëm si bazë, sepse fokusin e hodhi tjetër kund, në skenat erotike mbas të cilave harroi gjithçka tjetër.[6]

Telebari, vazhdon duke kritikuar edhe ndërtimin e romanit. Mes tjerash, thekson se: Nuk është problemi tek shkurtësia e romanit, por te boshllëku i kapitujve. Stili i romanit i shkon më shumë raportit sesa veprës letrare. Tregimi është i thatë, i ngjashëm me raportin, që mund ta vras gëzimin e lexuesit dhe ta irritojë atë. Më shumë duket si roman i papërfunduar sesa roman i shkurtër.[7]

Megjithatë, Miku i Kafkës është roman që gjithsesi ia vlen të lexohet për të parë dritëhijet e autorit kroat, përtej kësaj për të shijuar rrëfimin interesant që të mbërthen nga faqja e parë deri tek e fundit.

Miro Gavran është njëri nga shkrimtarët bashkëkohor më të lexuar, anekënd botës. Ai u lind në Gornja Tërnava të Kroacisë, në vitin 1961. Është prozator dhe dramaturg, i përkthyer në 35 gjuhë. Laureat i më shumë se njëzet çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare. Edhe si dramaturg, Gavrani ka arritur të korrë mjaft sukses. Dramat e tij janë shfaqur në më se 250 vende të botës, përfshirë qytetet si Roterdam, Paris, Mumbai, Bratislavë, Pragë, Vjenë e Budapest, ku përafërsisht janë ndjekur nga tre milionë shikues. Gavrani ishte edhe drejtor i Teatrit të famshëm ITD në Zagreb, ndërsa që nga viti 1993 është shkrimtar profesionist, autor i tregimeve të shkurtra, i prozës së gjatë e dramës, të cilat janë përfshirë nëpër antologji të shumta brenda dhe jashtë Kroacisë. Krijimtaria e tij tani studiohet në universitete anembanë botës. Gavran është shkrimtari më i përkthyer kroat, dhe i vetmi dramaturg i gjallë, emrin e të cilit e mban festivali teatror Gavranfest.

Deri më tani është autor i njëzet dramave dhe dhjetë romaneve. Prej veprave më të njohura të tij, veçohen: Nata e zotave, Çehovi i thotë lamtumirë Tolstojit, Si ta vrasësh presidentin, Biri i harruar, e Miku i Kafkës. /21Media

[1] Miro Gavran, Miku i Kafkës, OM, Prishtinë, 2015 (Citimet në vazhdim janë nga ky botim) f. 80-81

[2] Po aty, f. 101

[3] Po aty, f. 132

[4] Po aty, f. 137

[5] Po aty, f. 19-20

[6] Ivan Telebar: Miro Gavran: Kafka’s Friend, Mozaik knjiga, Zagreb, 2011

[7] Po aty, Miro Gavran: Kafka’s Friend, Mozaik knjiga, Zagreb, 2011