“Pa u krijuar kushte politike, nuk do dimë se sa jemi”

“Pa u krijuar kushte politike, nuk do dimë se sa jemi”

2018 është viti i 16-të që e gjen Maqedoninë me popullsi të paregjistruar, ndërsa kjo çështje as që po diskutohet nga qeveria e re.

Ish-nënkryetari i komisionit të vitit 2011 për regjistrimin e popullsisë, Abdylmenaf Bexheti, vlerëson se përbërja aktuale e qeverisë nuk duket shpresëdhënëse për regjistrimin e popullsisë.

“Kështu siç është ekuacioni politik, edhe i shumicës parlamentare, unë para një palë zgjedhje tjera në të cilat do të kishte shumicë të konsoliduar parlamentare, nuk e shoh mundësinë që të përmbushet ai kusht dhe realisht nuk pres që para vitit 2021 do të ketë ndonjë regjistrim”, u shpreh Abdylmenaf Bexheti, Zv/Kryetar i Komisionit për regjistrim (2011), shkruan tv21.tv

Bexheti thotë se regjistrimi i vitit 2011-2012 dështoi për arsye politike. Që kjo të mos ndodhë sërish, Bexheti thotë se duhet pasur stabilitet politik, si dhe mirëbesim politik mbi baza etnike.

“Ne sot dëgjojmë vlerësime nga revista, madje edhe britanike, që thonë se në Maqedoni nuk ka më shumë se 1 milion e 350 mijë njerëz. Ndërsa ne akoma evidentohemi si 2 milionë e 57 mijë njerëz, dhe nëse politikat publike i bëni mbi këtë bazë, pra shëndetësinë, arsimin, politikat sociale, mbrojtja sociale, të gjitha këto mbi bazë të një diskrepanse deri në 30 për qind të popullsisë. Nga ana tjetër, migracioni permanent dhe posaçërisht kohëve të fundit, edhe për shkak të perspektivave ekonomike, por pse jo edhe për kushte politike, pra e bën të veten dhe  çdo politik bërje sot është mbi bazën e hamendjeve”, shtoi Abdylmenaf Bexheti.

Profesoresha e demografisë dhe statistikës, Marija Trpkova, regjistrimin më shumë të nevojshëm e sheh për politikat ekonomike të vendit. Sipas saj, në këto 6 vite nga regjistrimi i fundit, në Maqedoni janë bërë ndryshime të mëdha demografike.

“Kur bëhet fjalë për popullsinë, të gjithë jemi dëshmitarë se në 10-15 vitet e fundit, një pjesë e madhe e popullsisë, posaçërisht mosha e re ka migruar, gjë që tërësisht e ndryshon, jo vetëm peizazhin demografik por edhe atë ekonomik. Çfarëdolloj projektesh të bëjmë, është vështirë. Për shembull nëse duam të bëjmë projekte për tregun e fuqisë punëtore, nuk mund të jemi precizë në këtë sepse ne nuk e dimë se sa nga ato njerëz që bëjnë pjesë aktive në treg gjenden de-fakto në vend, se sa njerëz janë shpërngulur dhe jetojnë jashtë vendit, në përgjithësi nuk kemi të dhëna rreth këtyre”, u shpreh në linjë telefonike, Marija Trpkova Nestorosvska, profesoreshë e Statistikës.

Të pyetur se kur mund të fillojë regjistrimi i ri, nga Qeveria u përgjigjën se për këtë duhet të ketë kushte politike.

“Regjistrim të popullsisë do të ketë dhe i njëjti do të zbatohet në përputhje me standardet e Eurostat-it. Për fillimin e regjistrimit të popullsisë është i nevojshëm krijimi i kushteve politike me qëllim që ai të ketë sukses. Realizimi i regjistrimit të popullsisë do të bëhet kur të krijohen të gjitha kushtet e nevojshme për të njëjtin”, tha Mile Boshnjakovski, Zëdhënës i Qeverisë.