Reja në prag të sfidës kundër Hungarisë: Do të luajmë për të mbajtur gjallë ëndrrën e kualifikimit

Shqipëria do të luajë nesër në mbrëmje një nga dy sfidat më të rëndësishme të vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror “Katar 2022”, ndaj Hungarisë, takim që do të zhvillohet në Budapest, në stadiumin “Pushkash Arena”.
Trajneri Edoardo Reja, u shpreh se kjo ndeshje është mjaft e rëndësishme për të mbajtur ëndrrën gjallë, teksa theksoi se skuadra dhe lojarët kanë besim të lartë për të fituar nesër. Ai tha se skuadra se do të shfrytëzojë të gjitha mundësitë ditën e nesërme për të marrë 3 pikët.
“Ne sigurisht duam të vazhdojmë të mbajmë gjallë këtë ëndërr të madhe, për të qëndruar në vendin e dytë deri në fund, por unë e kam thënë shpesh, jo vetëm para kësaj ndeshjeje, që për ne janë të gjitha ndeshjet si një finale. Nëse humbasim, ne dalim jashtë objektivave dhe nuk jemi më në lojë. Është e rëndësishme si ndeshje për ne dhe e dimë shumë mirë forcën e Hungarisë, por unë bazohem te fakti që ne po kalojmë një moment pozitiv”, tha Reja.
Ai deklaroi se do t’i shfrytëzojnë të gjitha mundësitë, por do të përpiqet të mos fokusohet në kundërsulm.
“Ne duhet të shfrytëzojmë të gjitha mundësitë që do të na jepen gjatë ndeshjes dhe të jemi të aftë të ndryshojmë mënyrën tonë të lojës, apo vendosjen në fushë duke iu përshtatur kundërshtarit. Sigurisht, duke luajtur në shtëpi Hungaria do të jetë ndryshe nga ndeshja e parë, qoftë në aspektin taktik, por duke e njohur trajnerin e tyre që është italian, kam një përshtypje për mënyrën se si mund të luajnë. Nuk mendoj se do të përpiqen të fokusohen te kundërsulmi, por besoj se do të përpiqen të marrin në kontroll lojën, duke qenë se do të luajnë në shtëpi”, tha tutje ai./21Media

Back to top button