Pas fitores në ndeshjen e parë kundër Andorras më rezultat minimal 1-0, Shqipëria nesër përballet me Anglinë në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër me fillim nga ora 18:00. Para kësaj ndeshjeje, trajneri Edi Reja ka folur në një konferencë për shtyp së bashku me kapitenin e skuadrës, Etrit Berishën.

Që në fillim të konferencës është bërë e ditur se qendërmbrojtësi Marash Kumbulla nuk do të jetë i gatshëm në dy ndeshjet e radhës ndaj Anglisë dhe San Marinos për shkak të një shqetësimi në gjurin e tij dhe se ai tashmë është kthyer në Itali për të vazhduar procesin e rikuperimit të tij.

Ndërsa, trajneri Edi Reja duke folur për kundërshtarin e së dielës, e ka vlerësuar sulmuesin Harry Kane si më të rrezikshmin e Anglisë duke mos përjashtuar edhe emra të tjerë të rinj si Foden dhe Mount.

“Sigurisht Anglia është një nga rivalët më të fortë në Evropë, nuk diskutohet, është top skuadër. Aktualisht ka një grup lojtarësh të rinj shumë cilësorë dhe sigurisht ata përveç botërorit por përgatiten edhe për evropianin e ardhshëm dhe unë shoh që po punojnë shumë mirë aktualisht. Kanë një grup me cilësi shumë të mira. Sigurisht që Kane është e tashmja, është një nga lojtarët aktualisht më të fortë ndërsa lojtarë si Foden dhe Mount janë të rinj dhe kanë shumë kohë për të treguar vlerat e tyre me kombëtaren në të ardhmen por e thash që për momentin ai është Kanë, lojtari më i rëndësishëm që ka Anglia në fazën sulmuese.”, u shpreh Reja

Më tutje, Reja ka shtuar se në skuadrën e tij motivimi i lojtarëve është shumë i lartë për shkak se do të përballen me njërën nga skuadrat më të fuqishme ne Evropë dhe shpreson që Shqipëria të bëjë një paraqitje shumë të mirë.

“Sigurisht që motivimi është shumë i lartë në këtë ndeshje siç e thatë edhe ju nuk nevojë t’i motivosh lojtarët pasi përball do të kenë një nga skuadrat më të forta ne Evropë, por nuk është thjeshtë çështje motivimi, është çështje tensioni dhe çështje pjekurie. Në këtë sfidë ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm në aspektin psikologjik të saj. Sigurisht Anglia ka përpara lojtarë që janë shumë të aftë, shumë cilësor në aspektin taktik dhe teknik, janë shumë lojtarë të rinj, janë shumë agresiv, janë shumë të shpejtë dhe duhet të përgatitemi sa më mirë, t’i lëmë atyre sa më pak hapësira sepse kanë me të vërtetë lojtarë që mund të bëjnë diferencën në çdo moment…. Shpresoj të bëjmë një paraqitje sa më të mirë në këtë takim.”, ka theksuar Reja.

Reja po ashtu ka bërë të ditur se Armando Broja mund të luajë nga minuta e parë kundër Anglisë për shkak se e njeh ambientin më mirë por se ende nuk e ka vendosur formacion titullarë.

“Në fakt për mua janë të gjithë lojtarët qoftë Broja qoftë edhe të gjithë të tjerët. Sigurisht ekipin do ta vendosim para ndeshjes dhe atë para fillimit do të marrim vesh pra se kush do të jetë në formacionin titullar…. Për Brojën sigurisht do t’i shqyrtoj të gjitha mundësitë që ai ta nis nga fillimi, sigurisht e njeh Anglinë shumë mirë dhe mund të na japi një dorë në këtë sens por akoma nuk e kemi vendosur nëse do të luajë titullar apo jo.”, ka vazhduar Reja.

E sa i përket problemeve ne mbrojtje pas lëndimit te Marash Kumbullas, Reja ka lënë të kuptohet se vendin e tij do ta marrë Berat Gjimshiti.

“Sigurisht ne kemi zgjidhje të tjera për shkak të mungesës së Kumbullës. Ne kemi Ismailin, Gjimshitin por edhe Veselin i cili është paraqitur mirë në kohët e fundit dhe mund ta angazhojmë pikërisht në atë rol, në fakt ai te Salonitana.. luan pak në qendër të mbrojtjes dhe është mësuar më këtë skemë po themi me këtë pozicion në fushë por kam menduar deri tani që Gjimshiti është lojtari më i përshtatshëm për të qenë pikërisht në zemër të mbrojtjes aty ku do jetë dhe zona e Kane pra i cili mund të jetë më i rrezikshëm dhe besoj se për strukturën që ka Gjimshiti është më i përshtatshëm që të përballet me të gjatë gjithë kohës.”, ka deklaruar ai.

Në fund Reja ka thënë se luajnë kundër Anglisë me synimin e qartë për t’i sulmuar dhe për të nxjerrë një rezultat pozitiv

“Sigurisht Anglia shënoi pesë gola me San Marinon pra është një skuadër që ka shumë cilësi dhe nuk është ndonjë surprizë. Besoj së nga pikëpamja taktike do të jemi shumë të zotë gjatë gjithë lojës por sigurisht nuk mund të qëndrojmë 90 minuta në mbrojtje, duhet t’i sulmojmë, t’i frikësojmë paksa. Kemi karakteristikat e duhura për të përballuar një ndeshje të tillë, duhet të shfrytëzojmë sa më shumë hapësirat për t’i sulmuar dhe për t’i shqetësuar por them t’i mbajmë në tension të lartë gjatë gjithë kohës. Patjetër kemi respekt për Anglinë por ne do të bëjmë ndeshjen tonë dhe nuk kemi pse të mos synojmë të marrim një rezultat pozitiv”, ka thënë në fund Reja.

Ndeshja Shqipëria – Angli zhvillohet nesër me fillim nga ora 18:00.