Ministri në detyrë i Integrimit Evropian,  Blerim Reka, mbrëmë morri pjesë në debatin e Columbia University: “The Future of Kosovo”, organizuar nga ISHR dhe SESC.

Fillimisht, Ministri në detyrë Reka, përgëzoi Guvernatorin e Nju Jorkut Andrew Cuomo, për menaxhimin me Covid 19, duke përcjellë mbështetjen e popullit të Kosovës për qytetarët e Nju Jorkut dhe të SHBA në këto ditë të vështira të pandemisë.

Në lidhje me të ardhmen e Kosovës, Reka tha se e ardhmja e Kosovës nuk mund të jetë tjetër pos si pjesë e familjes Euro- Atlantike të demokracive liberale.

“Kosova si edhe SHBA-të, lindën në luftën çlirimtare kundër tiranisë koloniale, ndërkaq në paqe ndërtojnë demokracinë liberale. Kosova një shekull ishte nën regjimin kolonial serb, nga aneksimi, në fillim e deri te aparteidi në fund të shekullit të kaluar. Andaj lufta çlirimtare ishte e vetmja zgjidhje për të hequr qafe pushtuesin e huaj, ndërkaq pas lufte qe mbështetur nga aleanca më e fuqishme perëndimore”, bëhet e ditur të ketë thënë Reka.

Reka theksoi se  e ardhmja e Kosovës,  është si pjesë e civilizimit perëndimor, si një Republikë e bazuar në sundimin e ligjit, një shtet me kufijtë e mbrojtur me kushtetutë dhe një qeveri me qeverisje të mirë.

Rreth çështjes së diskutuar në këtë debat për dialogun Kosovë-Serbi, Reka tha se ai nuk mund të jetë më, sikur që ishte, pra jo më negociata asimetrike, por vetëm negociata të dy shteteve të barabarta, që duhet të përfundojnë me njohje reciproke ndër-shtetërore – pa ndryshime territoriale.

Në këtë debat online i udhëhequr nga Prof. Dr. David Phillips, nga Universiteti Kolumbia të Nju Jorkut, fjalën e hapjes e paraqiti Prof. Dr. Daniel Serwer, nga Johns Hopkins University, ndërkaq pos Kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani dhe ish kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, në debat morrën pjesë edhe Arta Dade, ish Ministre e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Fatmir Mediu, ish Ministër i Mbrojtjes i Shqipërisë, Sonja Biserko, nga Komiteti i Helsinkit të Serbisë dhe Miodrag Vlahoviq, Ambasador i Malit të Zi në Selinë e Shenjtë.