REL: Kalon propozimi për liberalizimin e vizave në janar të vitit 2024

 
Përfaqësues të vendeve anëtare të BE-së u pajtuan me propozimin që liberalizimi i vizave për Kosovën të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2024.
Radio Evropa e Lirë merr vesh se pajtimi u arrit në një takim të këshilltarëve për viza të martën në Bruksel.
Kjo datë ishte kërkesë e Spanjës – njërit prej pesë vendeve të BE-së që nuk e njeh ende pavarësinë e Kosovës.
Paraprakisht, Republika Çeke, e cila aktualisht udhëheq presidencën gjashtëmujore të BE-së, kërkoi që liberalizimi i vizave për Kosovën të fuqizohet më 1 dhjetor të vitit 2023.
Por, ky propozim nuk kaloi në një takim të grupit punues të BE-së për vizat, që u mbajt javën e kaluar, pasi Spanja e më pas edhe Sllovakia dhe Suedia paraqitën vërejtje dhe kërkuan, siç thanë, sqarime shtesë.
(10: 42) Liberalizimi diskutohet për herë të tretë në Bruksel
Të martën në Bruksel mbahet edhe një takim i Grupit Punues për Vizat në kuadër të Këshillit të Bashkimit Evropian që shënon herë e tretë që ky grup diksuton për vizat brenda një muaji.
Pika e parë e rendit të ditës është diskutimi për liberalizimin e vizave për Kosovën. Në tavolinën e bisedimeve është ai që quhet “Teksti i Rishikuar i Presidencës së Çekisë”. Kjo njoftohet në agjendën e punimeve të publikuar për sot
Në dy takimet paraprake, disa nga shtetet anëtare kanë shprehur qëndrime të ndryshme për liberalizim siç është hyrja në fuqi e sistemit informativ “ETIAS” që mëtohet të ndodh në nëntor të 2023-ës.
Në anën tjetër presidenca çeke e BE-së që përfundon më 31 dhjetor ka thënë se do mundohet që t’i bind shtetet anëtare të Unionit që një vendim për heqje vizash për Kosovën të ndodh deri në fund të vitit.

Back to top button