Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Albena Reshitaj ka kërkuar në mënyrë urgjente të bëhet ligji i përkohshëm për menaxhimin e pandemisë Covid 19.

Deputetja e AAK-së, pas përfundimit të komisionit për shëndetësi, tha se implementimi i masave për parandalimin e korona virusit tashmë duhet të bëhen në përputhje me bazën ligjore.

“Duhet menjëherë të fillohet të bëhet plotësim-ndryshimi i ligjit për Shëndetësi. Aty ku ka pasur ngecje në implementim. Situata është emergjente, ne jemi në një pandemi. Duhet në bazë të kornizës ligjore të kërkojmë mundësi të lehtësimeve që mund të bëhen në respektim të ligjit. Nëse ka vullnet politik, i cili thuhet që është ne mund të i përshpejtojmë gjërat”, tha ajo.

Si mundësi tjetër, Reshitaj e dha edhe plotësim ndryshimin e ligjit aktual për sëmundje ngjitëse.

“Konsiderojmë që një plotësim ndryshim i shpejtë, apo një formim i një ligji të përkohshëm i cili do të jepte mundësi implementimit të këtyre masave është imediat për vendit”, tha ajo.

Sot në Komisionin për Shëndetësi ka raportuar ministri, Armend Zemaj.