Reshitaj lobon për njohje

Reshitaj lobon për njohje

Gjatë qëndrimit tre ditor në Vietnam, ku është mbajtur Asambleja e 6-të e GEF-it, ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj ka takuar dhjetëra zyrtarë të lartë të shteteve të ndryshme, ku përveç diskutimeve mbi investimet e mundshme në fushën e mjedisit, ka lobuar edhe për njohjen e shtetit të Kosovës.

Në vazhdën e këtyre takimeve, ministrja Reshitaj u takua edhe me ministrin e Mjedisit të Armenisë, Erik Grigoryan, përfaqësuesen e Ministrisë së Mjedisit të Indonezisë, Laksmi Dhewanthi, me të cilët diskutoi modalitetet e mundshme të bashkëpunimit dhe njëherësh nga të dy shtetet kërkoi njohjen e Kosovës.

Në takimin bilateral me ministren e Mjedisit të Malit, Aida M’bo Keita, ministrja Reshitaj deklaroi se bashkëpunimi ndërmjet dy shteteve duhet të vazhdojë , sidomos në fushën e mjedisit, planifikimit hapësinor dhe energjisë së ripërtërirë.

Po ashtu Reshitaj është takuar me kryeshefen Ekzekutive të GEF-it, Naoko Ishii, me të cilën ka biseduar mbi projektet e ardhshme dhe mundësinë e qasjes së Kosovës në fondet e GEF-it.

Maratonën e takimeve, Reshitaj e vazhdoi me presidentin e Bankës për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Suma Chakrabarti, ku diskutuan mbi projektet investuese që BERZH po i financon në fushën e mjedisit dhe planifikimit hapësinor në Kosovë.

Ministrja Reshitaj është takuar edhe me Drejtorin e Green Climate Fund, Pa Ousman Jarju, me të cilin kanë diskutuar mbi sfidat globale të mjedisit dhe mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen.

Në margjina të Asamblesë së GEF-it, ministrja Reshitaj është pritur në një takim zyrtar nga kryeministri i Vietnamit, Nguyen Xuan Phuc dhe ministri i Resurseve Natyrore dhe Mjedisit të këtij vendi Tran Hong Ha, si dhe me udhëheqësit e agjencive të ndryshme të specializuara të Kombeve të Bashkuara, si me drejtoren Ekzekutive të UN Habitat, Maimunah Mohd Sherif dhe me drejtorin e UN Environment, Erik Sohleim.