Përvjetori i 149 i lindjes së At Gjergj Fishtës u shënjua me restaurimin e shtëpisë ku një prej emrave më të rëndësishëm të letrave shqip të gjysmës së parë të shekullit XX kishte jetuar një pjesë të fëmijërisë së tij.

Në shndërrimin e shtëpisë në muze ishte kryeministri Edi Rama, që në fjalën mirënjohëse për atin françeskan e quajti poshtëruese sjelljen ndaj At Gjergj Fishtës si gjatë periudhës së komunizmit dhe asaj në demokraci. Si qasje më të afërt solli dekoratat që presidenti Ilir Meta, jep për dëshmorët e atdheut.

“Fatkeqësisht për Fishtën nuk shkuan aq mirë edhe kur ndryshoi regjimi dhe kur emri i tij pastaj, si shumë emra të tjerë, u morr dhe u përdor si këto dekoratat që shpërndahen sot, të cilat thuhet se janë për ata të cilët u jepen, por në fakt janë thjesht dekorata për ata që i japin. Ja japin vetes për t’i dhënë një fuqi imagjinare mbi të tjerët.”, u shpreh Rama.

Me vendosjen në krye të Rilindjes, si qeveria që është investuar më shumë në ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, Edi Rama i etiketoi kundërshtarët e shembjes së Teatrit Kombëtar si të pa ushqyer me bukën e kulturës.

“Na doli papritur një shpirt revolte për një godinë mes Tiranës që nuk ishte as monument kulture. Që nuk kishte asnjë lidhje me kulturën me trashëgiminë kulturore. Edhe ajo ishte një tregues rrëqethës i devijimit komplet në drejtin të paditur për shkak të mos ushqimit me bukën e kulturës.”, u shpreh tutje Rama.

Përveç shtëpisë ku jetoi përkohësisht At Gjergj Fishta dhe me synim për ta shndërruar fshatin Fishtë në Lezhë në një ndalesë për turistët, angazhimi është rijetësimi i çdo objekti ku zhvilloi veprimtarinë ai. Ndërhyrje restauruese janë parashikuar në Famullinë e Troshanit, në shkollën Françeskane apo shndërrimin në muze të godinës ku zhvilloi aktivitetin shoqëria “Bashkimi”. Për të respektuar kryeministrin banorët e zonës i kishin qepur një maskë me motivet e Zadrimës./vizionplus