Sot janë zhvilluar tri ndeshjet e vlefshme për fazën 1/8 së finales në Kupën e Kosovës. Drenica e ka mposhtur Ulpianën me rezultat të thellë 4-0.

Zabërgja me dy golat e tij në minutat 45’ dhe 65’ si dhe Rapo dhe Uka me nga një gol në minutat 14’ dhe 61’ ia kanë siguruar këtë fitore të thellë skuadrës vendase.

Dy ndeshjet tjera, Llapi – Ballkani dhe Prishtina – Drita kanë ofruar emocione të mëdha pasi fituesi nuk është mësuar brenda 90 minutave dhe skuadrat kanë shkuar në vazhdime.

Prishtina e ka siguruar fitoren në derbi me Dritën me golin e realizuar nga Boshnjaku në minutën e 106’, por duhet përmendur që deri në fund të ndeshjes Drita ka mbetur me dy lojtarë më pak në fushë për shkak se me kartona të kuq janë përjashtuar Vucaj dhe Bidarovski.

Ndërsa, fituesi i ndeshjes ndërmjet Llapit dhe Ballkanit është mësuar vetëm pas penalltive pasi pas 120 minutave rezultati ishte i barabartë (0-0).

Në penallti më e suksesshme është tregua skuadra e Llapit, e cila ka fituar me rezultat 4-3.