Rezultati në Dragash dhe Junik mund të ndryshojë pas numërimit të votave të diasporës

Garë e ngushtë po zhvillohet për të parin e Dragashit dhe atë të Junikut.
Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, në komunën e Dragashit është duke prirë Shaban Shabani i PDK-së me 47 vota epërsi ndaj kundërkandidatit nga LDK, Bexhet Xheladinit. Fituesi në këtë komunë pritet të caktohet nga votat e diasporës. Janë gjithsej 308 vota nga diaspora për këtë komunë, të cilat, siç ka informuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi për rtv21.tv, numërimi i këtyre votave pritet të fillojë nesër.
Ndërsa, për postin e kryetarit të Junikut, në garë të ngushtë janë Ruzhdi Shehu nga LDK, i cili deri tani ka arritur 29 vota më shumë se sa kundërkandidati i tij, Agron Kuqi nga AAK. Edhe në këtë komunë, fituesi pritet të caktohet nga votat e diasporës. 670 vota të diasporës do ta përcaktojnë kryetarin e ri të Junikut.
Ndërkohë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka deklaruar se pas fitores në 7 komuna, po pret fitore edhe në Dragash. Ndërkaq, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka deklaruar janë në pritje të fitores edhe në Junik.
Ndryshe, në këto zgjedhje, LDK ka fituar në 7 komuna, ndërsa AAK ka siguruar fitore në 5 komuna./21Media

Back to top button