FFK: Jemi të sigurt që dy djemtë e ri të këtij klubi do ta kalojnë shpejt e pa asnjë pasojë edhe këtë sfidë shëndetësore

FFK: Jemi të sigurt që dy djemtë e ri të këtij klubi do ta kalojnë shpejt e pa asnjë pasojë edhe këtë sfidë shëndetësore

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka shprehur mbështetjen e plotë për dy vëllezërit- futbollistë të grupmoshave të reja të KF “Ballkani”, të cilët kanë rezultuar pozitiv me virusin Covid-19.

“Në këtë periudhë të vështirë nëpër të cilën po kalon vendi ynë si pasojë e kësaj pandemie, presidenti Agim Ademi, Komiteti Ekzekutiv dhe të gjitha organet e tjera të FFK-së edhe një herë shprehin përkrahjen e tyre të parezervë në tejkalimin sa më të shpejtë të kësaj gjendje”, thuhet në shkrimin e FFK-së.

FFK-ja ka thënë se do të jetë në vazhdimësi afër familjes së këtyre talenteve për çfarëdo që ka nevojë deri në shërimin e tyre.

“Futbollistët tanë që nga mosha e re kaliten për të kaluar çdo vështirësi dhe për t’u përballur me sukses kundër çdo kundërshtari e çdo sfide. Në këtë frymë pa dyshim zhvillohen edhe futbollistët e rinj të Suharekës, vatër kjo e njohur për futbollin tonë dhe me përplot talente të futbollit. Prandaj, jemi të sigurt që dy djemtë e ri të këtij klubi do ta kalojnë shpejt e pa asnjë pasojë edhe këtë sfidë shëndetësore dhe sapo të krijohen kushtet do t’i kthehen fushës së gjelbër për ta zhvilluar tutje talentin e tyre, në mënyrë që një ditë ta bëjnë krenar jo vetëm KF ‘Ballkani’ por edhe Kosovën me cilësitë dhe vlerat e tyre. Shërim të shpejtë!”, thuhet në shkrimin e FFK-së./21Media