Që nga marsi, asnjë kandidat që ka aplikuar për marrjen e patent shoferit nuk ka mundur të hyjë në provim teorik dhe praktik, për shkak të përhapjes së koronavirusit në Kosovë. Mirëpo, që nga sot ata do të kenë mundësi që të përfundojnë procesin që kishin nisur më parë.

Kryetari i Shoqatës së Autoshkollave të Kosovës, Afrim Islami në programin e mëngjesit “Për ditë të mbarë” në RTV21, tha se kjo pauzë ka qenë e panevojshme dhe është dashur të rifillojnë puna edhe për autoshkollat atëherë kur ka filluar faza e parë e lirimit të masave.

Islami u shpreh i pakënaqur me punën e Drejtorisë së Ministrisë së Infrastrukturës, duke thënë se janë vetëm 2 egzaminerë në vend që të ishin 12.

Ai tha se me këto kapacitete, kanë për të kaluar 7 ose 8 muaj dhe kandidatët nuk kanë më pasë mundësi me hy në provim.

Kryetari i Shoqatës së Autoshkollave të Kosovës edhe pse nuk e sheh si zgjidhje paralajmëroi se prapë do të ketë protesta./21Media