Rishikimi i buxhetit sot do të jetë një ndër pikat që do të diskutohet në Komisionin për Legjislacion, si një nga katër komisionet e përhershme që buxhetit i duhet të kalojë para se të mbërrijë për lexim të dytë në seancë.

Ky komision sot do të mbajë një mbledhje në mënyrë elektronike, e cila fillon në ora 10:00, por si pika të rendit të ditës janë edhe 5 pika të tjera.

Shqyrtimi i Raportit me amendamente në Projektligjin nr. 07/L-014 për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr. 07/L-001 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020 gjatë së hënës nuk kaloi në Komisionin për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve, kjo për shkak të mungesës së kuorumit.

Rishikimi i buxhetit po mban peng ekzekutimin e Pakos Emergjente ku punëtorët dhe bizneset do të përfitojnë edhe nga 170 euro, pagesat e qirasë, familjet në nevojë asistencën sociale si dhe masa të tjera të parashikuara në këtë pako.

Jozyrtarisht mësohet se seanca për rishikimin e buxhetit do të mbahet gjatë së mërkurës, por që një gjë të tillë e vendos kryesia e Kuvendit që së fundmi mbledhjet e saj i ka mbajtur në mënyrë elektronike.